Instituti i Bashkive të Shqipërisë kërkon të shpallet gjendja e emergjencës natyrore për shkak të zjarreve, sidomos në Gramsh dhe në Delvinë ku banesat po digjen nga flaket që vetëm shtohen.
Instituti për Bashkitë e Shqipërisë
Deklaratë mbi situatën e zjarreve masive në vend
Instituti për Bashkitë Shqiptare ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga zjarret masive që kanë prekur disa zona të vendit dhe shpreh sa vijon:
- Së pari, shprehim solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët dhe komunitetet e prekura nga flakët. Mendimet dhe mbështetja jonë janë me trupat zjarrfikës por jo vetëm që po përballen me rrezik për jetën e tyre.
- Falënderojmë qytetarët dhe vullnetarët për angazhimin dhe bashkëpunimin e treguar me forcat e specializuara në përpjekjet për përballimin e situatës.
- U bëjmë thirrje të gjithë banorëve të bashkive të prekura ose që ndodhen në zona me rrezik të lartë, të respektojnë thirrjet dhe udhëzimet e Ministrit të Mbrojtjes, Kryetarëve të Bashkive dhe Drejtorit të Emergjencave Civile, për masat e evakuimit të mundshëm.
- Sugjerojmë thirrjen urgjente të mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe marrjen në shqyrtim të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke kategorizuar situatën si emergjencë civile sipas ligjit.
- Në këtë moment, të gjitha energjitë dhe burimet duhet të përqendrohen në operacionet për shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e pronës private dhe publike.
- Pasi të dilet nga faza emergjente, kërkojmë një vlerësim të plotë e real të dëmeve dhe zbatimin e masave ligjore për kompensimin dhe rikuperimin e tyre.
Instituti për Bashkitë Shqiptare mbetet i angazhuar të mbështesë bashkitë në çdo hap të përballimit dhe rikuperimit nga kjo situatë.








