Ndërmarrjet ushtarake shqiptare që u lanë të degradohen do të ri-vihen në punë këtë herë në bashkëpunim me privatin.
Por për të ringritur këto ndërmarrje, duhet fillimisht tu paguhen borxhet.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë dhënë 2.4 milionë euro (244 541 460 lekë) për të paguar detyrimet që kanë ndaj palëve të treta, ku bëjnë pjesë edhe punonjësit e këtyre uzinave që kanë paga e sigurime të papaguara.
“Shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj të tretëve, në masën 244 541 460 (dyqind e dyzet e katër milionë e pesëqind e dyzet e një mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) lekë, të ndërmarrjeve shtetërore Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës Elbasan, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinati Mekanik Poliçan, nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në vendim.
Më tej në vendim theksohet se detyrimet e këtyre ndërmarrjeve duhet shlyhen brenda 30 ditëve dhe për këtë përgjegjëse është Ministria e Mbrojtjes.
Referuar vendimit, ky likuidim bëhet në kuadër të ligjit “Për krijimin e Shoqërisë Shtetërore për Prodhimin dhe Tregtimin e Armëve, Municioneve, Pajisjeve dhe Teknologjive Ushtarake”, i cili parashikon që të 3 ndërmarrjet ushtarake Mjekës, Uzina Mekanike Gramsh dhe Poliçan të kalojnë në varësi të KAYO, dhe do të prodhohen armë e municione.











