Kompania ajrore shqiptare Air Albania, vijon të ketë probleme të rënda financiare. Prej muajit maj Gjykata e Apelit ka urdhëruar kompaninë ajrore të likuidojë një faturë me vlerë 5 milionë euro ndaj kompanisë që e furnizon me ushqim për pasagjerët në bord.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është shpallur 13 Maj 2025, por ende nuk është bërë pagesa e faturës pasi Air Albania ka vendosur të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, dhe deri në një vendim të formës së prerë refuzon të bëjë pagesë.
Madje kompania ajrore shqiptare ka kërkuar edhe heqje të masës së sekuestros për llogaritë bankare për këtë pagesë.
Air Albania ka kërkuar “Pezullimi i ekzekutimit te vendimit nr. 643, dt. 13.05.2025, të Gjykatës së Apelit Juridiksioni i Përgjithshëm, deri në shqyrtimin e rekursit nga Gjykata e Larte. Heqjen e masës së sekuestros te vendosur ne llogarite bankare edhe kuotat e shoqërisë “Air Albania” sh.p.k, nga Zyra e Përmbarimit Privat “QEVA” sh.p.k, nëpërmjet shkresave 591/10, 591/11, 592/9, 592/10, 593/9, 597/6 regj, dt. 19.05.2025”, thuhet në rekursin e regjistruar në Gjykatën e Lartë.

Kjo kërkesë e Air Albania do të shqyrtohet më 10 korrik 2025, nga Gjykata e Lartë. Pretendimi i kompanisë ajrore është që është mbifaturuar nga kompania që ka bërë furnizimin me ushqime dhe për këtë arsye refuzon të bëjë pagesën.
Kjo nuk është hera e parë që Air Albania përfshihet në skandale financiare. Edhe përgjatë vitit 2023, i janë vënë masa sekuestro për mos-pagesë të faturave për furnitorët e saj.
Përtej këtyre borxheve që me shumë mundësi do të rëndojnë në buxhetin e shtetit me ndonjë dhënie kredie për këtë kompani, Air Albania po ashtu fsheh edhe bilancet e saj financiare.

Pikëpyetja që ngrihet është: ‘Pse krenaria shqiptare ‘Air Albania’ nuk bën transparencë më të ardhurat e shpenzimet e saj? Mos vallë po fsheh falimentimin?








