Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, zhvilloi një takim me delegacionin e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith.
Gjatë takimit u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit në disa drejtime, me theks të veçantë te lufta kundër pastrimit të parave, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme, si dhe hetimi dhe identifikimi i veprave penale financiare dhe formave të sofistikuara të kriminalitetit ekonomik.
Bisedimet përfshinë edhe mundësinë e ofrimit të ekspertizës dhe njohurive profesionale për prokurorët e shtetit, me synim rritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale në përballjen me kriminalitetin financiar e ekonomik.
Përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan se janë të gatshëm të mbështesin mekanizmat e krijuar nga Kryeprokurori i Shtetit, veçanërisht mekanizmin Mbikëqyrës të Punës së Prokurorit të Shtetit.
Gashi konfirmoi gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin me Departamentin e Thesarit të SHBA-së, me qëllim rritjen e efikasitetit në forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të prokurorëve të shtetit.
The post Zejnulla Gashi zhvilloi takim me delegacionin e Departamentit të Thesarit të SHBA-së appeared first on Albeu.com.









