‘Sekuestrim të çdo produkti bujqësor e blegtoral’ kërkoi nga tatimet kryeministri Edi Rama në Cërrik më 2 korrik.
Dëshira e kryeministrit është plotësuar menjëherë, pasi është ngritur Task-Forca që do të bëjë kontrollin e bizneseve që merren me tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, me shumicë dhe pakicë.
Për dy javë tatimorët do të trokasin në çdo subjekt të kësaj fushe me një fushatë sensibilizimi për të lëshuar fatura dhe për të deklaruar xhiron e tyre reale, dhe kush nuk reagon do të përballet me hetimin tatimor që përveç gjobës sekuestron edhe mallrat që biznesi ka në gjendje.
NJOFTIMI I DREJTORISË SË TATIMEVE
Administrata Tatimore njofton tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në sektorin e tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, me shumicë dhe pakicë, se ka ndërmarrë një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese, me qëllim formalizimin e tregut, sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Duke filluar nga sot Administrata Tatimore bën me dije se pasi ka analizuar të dhënat mbi aktivitetin tregtar të këtij sektori, për një periudhë 2-javore do të sensibilizojë bizneset nëpërmjet kanaleve të saj të komunikimit apo vizitave informuese në terren për përmbushjen e detyrimit ligjor për të lëshuar faturë të fiskalizuar për produktet që tregtojnë.
Sipas Ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, neni 6, pika 3; neni 7, pika 2 dhe neni 9, tatimpaguesit duhet që:
1- Çdo artikull blegtoral dhe bujqësor që disponojnë dhe tregtojnë ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar të blerjes, në të cilën të identifikohet dukshëm dhe qartë shitësi, si rrjedhojë edhe origjina e produktit.
2- Çdo artikull që tregtojnë ndaj konsumatorit final ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar, ku të jenë pasqyruar saktë dhe dukshëm emërtimi dhe çmimi i produktit.
Në përfundim të fushatës ndërgjegjësuse, Task-Forca e ngritur për këtë qëllim, e përbërë nga inspektorë të Hetimit Tatimor dhe inspektorë të monitorimit në terren, do të nisë kontrollet në vend për të verifikuar që çdo produkt bujqësor apo blegtoral shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.
Administrata Tatimore ju fton të deklaroni saktë dhe në mënyrë të plotë mbi aktivitetin tuaj tregtar, në përputhje me detyrimet ligjore në fuqi, në të kundërt mungesa e faturave të fiskalizuara do të sjellë penalitete sipas legjislacionit në fuqi.








