Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, po shikon përtej fushës së gjelbër dhe ka hedhur hapat e parë në tregun e patundshmërive, duke vendosur një pjesë të pasurisë së tij në këtë fushë.
Mediumi spanjoll Marca raporton se 19-vjeçari ka krijuar në qershor të vitit 2026 shoqërinë Capitally Property SL, me qëllim zgjerimin e investimeve dhe ngritjen e një biznesi me perspektivë afatgjatë.
Sipas të dhënave të Regjistrit Tregtar, kjo shoqëri vepron paralelisht me Ally Global SL, kompania që menaxhon të drejtat e imazhit të futbollistit dhe e cila tashmë ka ndryshuar emrin.
Pas marrjes së një banese në Sant Just Desvern, kompania e tij raportohet se ka siguruar 50 për qind të aksioneve të një godine industriale me katër kate.
Marrëveshja u finalizua më 30 shtator dhe, sipas informacioneve, u krye pa asnjë angazhim hipotekor.
Gjysma tjetër e pronës kontrollohet nga shoqëria Bastida Pancarana SL, e drejtuar nga Santiago San Torcuato, juristi argjentinas që prej kohësh bashkëpunon me familjen e Yamalit.
Këto investime në pasuri të paluajtshme shoqërohen edhe me blerje të tjera personale të futbollistit. Më herët, i ati i tij, Mounir Nasraoui, kishte bërë të ditur se Lamine kishte blerë banesa për veten, nënën dhe gjyshen.
Aktualisht, talenti spanjoll banon në një rezidencë të rinovuar në Esplugues de Llobregat, ndërsa duket se po e kthen suksesin futbollistik në një themel të qëndrueshëm financiar edhe jashtë sportit.
The post Milionat nga futbolli nuk i mjaftojnë, Lamine Yamal nis investimet në pasuri të paluajtshme appeared first on Albeu.com.







