Në kuadër të operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje, Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Baruti”, ku ka zbuluar një bazë të paligjshme armësh në fshatin Rrencë. Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë pronari i banesës, Çezarin Jaku, 61 vjeç, me precedentë kriminalë për armëmbajtje pa leje.
Gjatë kontrollit të realizuar në ambientet e banesës, forcat e rendit kanë gjetur një arsenal të konsiderueshëm armësh, përfshirë: 11 pistoleta, kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 antiplumba dhe 1 silenciator. Armët janë dërguar për ekspertizë në Institutin e Policisë Shkencore për të vlerësuar përdorimin e mundshëm të tyre në ngjarje kriminale.
Operacioni u realizua falë informacionit të siguruar nga inteligjenca policore, ndërkohë që hetimet vijojnë për të identifikuar dhe ndëshkuar të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.







