Një tjetër bankë turke pritet të jetë së shpejti pjesë e tregut shqiptar. Banka më e vjetër shtetërore e Turqisë ‘Ziraat’, pritet të marrë licencën këtë muaj nga Banka e Shqipërisë.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Ziraat, Alpaslan Çakar në një deklaratë për mediat turke.
“Ne kemi aplikuar për Shqipërinë dhe ka të ngjarë të marrim licencën këtë muaj. Të gjitha përgatitjet tona kanë përfunduar. Po punojmë për themelimin e një banke në Rumani dhe kemi paraqitur aplikimin tonë. Negociatat me Bankën Qendrore atje kanë vazhduar për rreth tre muaj. Ne jemi proaktivë në Siri dhe tashmë e kemi paraqitur aplikimin tonë. Nëse mund të bëjmë përparim atje, së shpejti do të kemi hapur ose një degë ose një bankë në Siri”, është shprehur drejtori i bankës Ziraat, thonë mediat turke.
Sipas drejtorit Ziraat Bank, operon në 130 lokacione në 22 vende. Kjo bankë turke ka aplikuar gjatë vitit 2024 për tu bërë pjesë e tregut shqiptar, dhe mesa duket ka plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të marrë licencën nga Banka e Shqipërisë.
Ziraat është bankë me profil kryesisht bujqësor, dhe ka ofruar kredi me interesa të buta ose edhe pa interes.
Por në Shqipëri pritet që kjo bankë të financojë qytetarët dhe sektor të ndryshëm të ekonomisë, me interesa konkurruese por nuk do të ketë kredi ‘hallall’ ose kredi me 0% interes.











