Kosova në ngërç politik, Kurti i shtrin dorën për koalicion Abdixhikut

0

Që prej zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë të cilat nxorën fitues Albin Kurtin, por pa i dhënë shumicën për të formuar qeverinë vendi është futur në një ngërç politik. Këtë të hënë dështoi edhe seanca e 11 të Kuvendit të Kosovës, për të vënë në krye Albulena Haxhiun.

Pas një situate të pazakonte që prej 15 prillit e në dukje si një ngërç pa zgjidhje, Albin Kurti i shtrin dorën partive opozitare. Albin Kurti i ka drejtuar një letër kreut të LDK-së Ludmir Abdixhiku për të formuar koalicion qeverisës.

Në një letër të bërë publike Kurti e fton në një takim Abdixhikun dhe i shpreh interesin që ai ka për marrëveshje politike.

“Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, thuhet në letrën e Kurtit.

Në këtë letër Kurti shkruan se as zgjedhjet e parakohshme nuk janë një zgjidhje për Kosovën.

“Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, shkruan Kurti.

Nëse Kurti nuk do të arrijë të formojë qeverinë, presidentja Vjosa Osmani këtë të drejtë mund tua japë partive të tjera opozitare që të formojnë qeverinë e re.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

17 − fourteen =