Rreth orës 16.50, të kësaj të shtune (26 prill) 3 të rinj trokitën në derë. Ashtu me nxitim (nuk prisja njeri) vajta të hapja derën, por trokitja u ndal. Kur hapa derën shikoj që të tre të rinjtë, dy djem e një vajzë ishin duke u ngjitur tek kati tjetër.
Çfarë deshët ju thash!
Jemi nga PD, koalicioni ‘Shqipëria Madhështore’ mu përgjigjën, dhe drejtuan gishtin nga bluzat që mbanin veshur, për të më treguar, që ishin të partisë, e bluza ishte mjet identifikimi.
Si mund t’ju ndihmoj ju thash?
Mu përgjigjën shumë thatë, ekzaktësisht “tek dera të kemi lënë një letër, ke dhe mënyrën se si mund të votosh”. Buzagaz filluan të ngjisnin shkallët.
I pyeta, vetëm kaq keni për të më thënë? Po më thanë, e më falenderuan që ju hapa derën. Asnjë fjalë më shumë se për cilën arsye duhet t’i votoj.
Mbylla derën, dhe mendova, kaq është komunikimi me ne jo të partisë, por që duhet të votojmë për partinë.
Fiks komunikim me ‘trakte’ por pa fjalë.
Kjo ishte historia e tretë më stil të njëjtë. Para 2 javësh, po varur në derë gjej programin e ‘Shqipëria Behet’, pak ditë më vonë, një mesazh vjen nga një kandidat për deputet nga PS, ky i fundit kërkonte votën pa program.
“Në këtë moment të rëndesishëm për mua kërkoj mbështetjen tuaj për zgjedhjet parlamentare, një proces mjaft i rëndësishëm zgjedhor. Do ta vlerësoja shumë ndihmën me votën tënde, të familjarëve të tu dhe duke folur me miqtë e tu që mund të më besojnë duke votuar Nr 5 ( Partia Socialiste) dhe emrin tim ** ne listën e votimit. Çdo votë ka rëndësi. Bashkë mund të arrijmë”, përmes këtij mesazhi një socialist kërkoi votën por pa me thënë arsyen pse ky moment i rëndësishëm për jetën e tij duhet të më bind mua t’a votoj??
Programet e secilës parti i kam lexuar për efekt pune, por politikëbërësit që duan të mbushin karriget e Kuvendit, janë shkëputur me kilometra nga realiteti. Mendojnë se njerëzit kanë kohë, nerva e durim të merren me fletushkat e tyre? Mendojnë se një copë letër herë në derë e here poshtë dere është e mjaftueshme për t’u kërkuar qytetarëve votën por edhe pagën se fundja, pagat e tyre dalin nga xhepi jonë.
E përtej komunikimit të munguar, me vrasin sytë programet. Me duken si përralla ose më saktë ‘deri me 11 maj ju premtojmë çfarë të doni, pastaj bëjmë ç’të duam’.
Megjithëse këta partitë e opozitës e bëjnë një përpjekje, orientojnë ca letra me pikat e programit që kërkojnë të vënë në zbatim, ndryshe nga socialistët që program kanë amnistinë e zgjedhjeve të 2021-shit, pagën minimale 500 euro të 2021-shit apo integrimin në 2030-ën ndërkohë që mandati mbaron në 2029-ën.














