Teksa shqiptarët sot po shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur drejtuesit e ardhshëm, Kosova ka 3 muaj që nuk e ka zgjidhur ngërçin politik. Albin Kurti edhe pse ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit nuk arriti të merrte mjaftueshëm mandate për të krijuar i vetëm qeverinë.
Këtë të dielë është mbledhja e 14 e Kuvendit të Kosovës për të konstituar Kuvendin. Propozimi i Albulena Haxhiut për të drejtuar Kuvendin, duket se është kthyer në ‘mollë sherri’ për politikën kosovare, pasi opozita e konsideron figurë përçarëse.
Edhe pse prej 3 muajsh Kosova nuk ka institucione plotësisht funksionale, Albin Kurti mohon që vendi është në krizë, si dhe është kategorikisht kundër një qeverie tranzitore që ju kërkua nga LDK-ja.
Pak ditë më parë Kurti i shtriu dorën kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku për të formuar koalicion qeverisës. Në një letër të bërë publike Kurti e fton në një takim Abdixhikun dhe i shpreh interesin që ai ka për marrëveshje politike. Por takimi dhe koalicioni u refuzuan nga Abdixhiku.














