Dola sot me tim bir në parkun me 3 lojëra të lagjes, por fatkeqësisht djali ngeli pa argëtim.
Një nga kafshët e Tiranës, i bezdisur nga zërat e fëmijëve kishte thyer vezë në rrëshqitës. (Shih video në fund të shkrimit)
Më pyeti kush e ka bërë pis dhe I thashë kafshët.
Më pyeti pse e kanë bërë pis dhe i thashë se kafshët nuk dinë çfarë të bëjnë.
Në fund më tha që do marrin policinë në telefon që ta fusin te burgu, qesha nga halli.
Është e përsëritur, dikur i njëjti park në Rrugën “Ndre Mjeda” u lye me graso, pastaj u thyen shishe që rrezikonin fëmijë.
Është e njëjta kafshë e tërbuar që armë ka vezën, dikur mua dhe tim biri në të njëjtin park na gjuajtën me vezë nga katet e larta, sulm të cilin e kanë vuajtur dhe prindër të tjerë.
Bashkia dhe policia është në dijeni të këtyre akteve vandale dhe të fëlliqura dhe veç pastrimit nuk ka marrë asnjë masë tjetër.
Kafsha që bën këto punë mund të jetë më mendore të çrregullt dhe nesër mund të hedhë gurë, thika, tenxhere dhe karrige nga ballkoni.
Shteti ynë është mësuar të reagojë kur ndodhin tragjeditë, për parandalim as që bëhet fjalë.
Kësaj here denoncimin nuk do e bëj as në Bashki dhe as në polici, por në kopshtin zoologjik, ishalla vijnë ata dhe e marrin këtë kafshë, ta izolojnë a t’i bëjnë vaksinën e tërbimit, të bëjnë ç’të duan, veç fëmijët në atë minipark të luajnë të qetë.
Kjo është Tirana jonë, një kopsht zoologjik ti madh, në të cilin nuk ka më rregull dhe as veteriner për të sëmurët.








