E ardhmja blu e Shqipërisë

0

Në mesin e një platforme për bashkëpunim rajonal, zhvillim të qëndrueshëm dhe përthithje fondesh europiane, Shqipëria haset me sfida dhe mundësi…

 

Nga Deada Hyka

Në një kohë kur Bashkimi Europian po përpiqet të forcojë kohezionin e brendshëm dhe të ndërtojë rezistencë përballë sfidave gjithnjë e më të ndërlikuara, nga tranzicioni i gjelbër dhe transformimi dixhital, te presionet migratore dhe tensionet gjeopolitike në lindje, strategjitë makrorajonale si EUSAIR (Strategjia e Bashkimit Europian për Rajonin Adriatiko-Jonian) marrin rëndësi të re dhe shumëdimensionale.

Ato nuk janë më vetëm platforma bashkëpunimi, por shndërrohen në laboratorë konkretë për politika të përbashkëta, ndarje përvojash dhe krijim sinergjish ndërmjet vendeve anëtare dhe kandidate në rrugën e integrimit europian.

E prezantuar në vitin 2014, EUSAIR përfshin tetë vende të rajonit – katër anëtare të BE-së (Greqia, Italia, Kroacia dhe Sllovenia) dhe katër vende në procesin e zgjerimit, ndër të cilat vendi ynë, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia).

Të gjitha ndajnë një interes të përbashkët për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës Adriatiko-Joniane, përfshirë ruajtjen e mjedisit detar, rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe forcimin e ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike.

Në këtë kuadër, Forumi i 10-të i EUSAIR, i mbajtur në Kretë në 6-7 maj, përfaqësoi një moment kyç për të analizuar se sa larg ka shkuar ky bashkëpunim dhe cilat janë sfidat e radhës. Shqipëria, që ndodhet gjeografikisht dhe politikisht në zemër të kësaj strategjie, nuk është më thjesht një pjesëmarrëse simbolike.

Roli i saj po matet nëpërmjet projekteve konkrete, si pjesëmarrja në aksione për zhvillimin e ekonomisë blu, përfshirja e të rinjve në nisma inovative, apo nëpërmjet bashkëpunimit ndërkufitar në ruajtjen e mjedisit detar dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, EUSAIR është një provë se sa e përgatitur është Shqipëria për të bashkëjetuar me rregullat, standardet dhe ritmin e Bashkimit Europian.

Por është njëkohësisht edhe një mundësi: për të përthithur më shumë fonde, për të nxitur reformimin institucional në nivel vendor dhe për të afruar rajonin me Bashkimin Europian jo vetëm në letra, por në përditshmëri.

Megjithatë, ndonëse këtë vit presidenca kaloi nga shteti helen te Maqedonia e Veriut, roli i Shqipërisë brenda strategjisë EUSAIR nuk është pa sfida. Një nga pengesat më të mëdha mbetet kapaciteti i ulët administrativ për të përthithur dhe për të menaxhuar fonde rajonale dhe të BE-së në mënyrë efikase.

Mungesa e një kornize të mirëkoordinuar ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj vendore shpesh ndikon në zbatimin praktik të projekteve, duke çuar në vonesa apo edhe mosrealizime të nismave të rëndësishme për zhvillimin e zonave bregdetare.

Në shumë raste, pushteti vendor në qytete si Vlora, Saranda apo Lezha nuk ka mjaftueshëm ekspertizë teknike apo burime njerëzore për të konkurruar me sukses në thirrjet për projekte ndërkufitare, ndonëse këto janë zona kyçe për ekonominë blu dhe turizmin.

Për më tepër, sfida të tjera përfshijnë edhe fragmentimin institucional, mungesën e të dhënave të përditësuara për menaxhimin e mjedisit detar, si dhe një shkallë të ulët ndërgjegjësimi në nivel komunitar për qëllimet e strategjisë.

Përfshirja e sektorit privat është ende e kufizuar, ndonëse ky sektor është thelbësor për të çuar përpara projekte të qëndrueshme në fusha si turizmi detar, agrobiznesi apo transporti i gjelbër. Nëse Shqipëria nuk adreson këto mangësi në mënyrë strukturore, ekziston rreziku që pjesëmarrja në strategjinë EUSAIR të mbetet më shumë formale sesa transformuese.

 

Shqipëria, në një strategji rajonale me rëndësi europiane

Strategjia EUSAIR përfshin 10 vende: Greqinë, Italinë, Kroacinë, Slloveninë (anëtare të BE-së), si dhe Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe së fundmi San Marinon.

Shqipëria ka qenë pjesë aktive që në nisje të saj dhe ka përfituar nga programet financiare të lidhura me strategjinë, veçanërisht nëpërmjet programit IPA ADRION – që mbështet projekte ndërkufitare në fusha si turizmi, zhvillimi blu dhe inovacioni.

Kjo strategji ka rezultuar një instrument i vlefshëm për vendin tonë, duke ofruar mundësi konkrete për projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitete dhe sektorë kyç të ekonomisë.

“Strategjia EUSAIR na ka ndihmuar të forcojmë bashkëpunimin me vendet fqinje për të trajtuar çështje të përbashkëta si ndotja e detit, menaxhimi i turizmit bregdetar dhe zhvillimi i transportit të qëndrueshëm”, deklaron Eridana Cano, Drejtoreshë e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj.

Sipas saj, Shqipëria ka përfituar nga projekte të financuara nëpërmjet instrumentit IPA, të cilat kanë në fokus ruajtjen e biodiversitetit, ndërgjegjësimin e komuniteteve dhe promovimin e potencialit të ekonomisë blu.

“Kemi përfituar nga projektet IPA që synojnë ruajtjen e biodiversitetit, ndërgjegjësimin e komuniteteve dhe promovimin e potencialit tonë të ekonomisë blu”, thekson znj. Cano.

EUSAIR, si një ndër strategjitë makrorajonale të BE-së, i jep Shqipërisë mundësinë të tregojë angazhimin dhe kapacitetin për të qenë pjesë aktive e zhvillimit rajonal dhe europian.

“Shqipëria është më pranë Bashkimit Europian kur bashkëpunon rajonalisht. Strategjitë si EUSAIR na lejojnë të tregojmë kapacitetin tonë për të kontribuar në projekte ndërkufitare që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, shton ajo.

Një nga drejtimet me potencial më të madh është zhvillimi i ekonomisë blu. Përtej turizmit tradicional, Shqipëria mund të përfitojë nga sektorë të rinj që janë ende në fazë të hershme zhvillimi, por që ofrojnë perspektivë të qëndrueshme.

“Ekonomia blu është një mundësi reale për zhvillimin e Shqipërisë, jo vetëm në turizëm, por edhe në sektorë të rinj si energjia detare dhe peshkimi i qëndrueshëm”, nënvizon znj. Cano.

Për Drejtoreshën e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj, një ndër rezultatet më të prekshme të këtij bashkëpunimi është ndikimi i drejtpërdrejtë në komunitetet bregdetare.

“Komunitetet bregdetare në Shqipëri po shohin politika të përbashkëta që përfshijnë ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin ekonomik njëkohësisht”, – përfundon ajo.

 

Nga potenciali në ndikim real

Edhe pse Shqipëria ka shënuar një progres të dukshëm në drejtim të pjesëmarrjes aktive në strategjitë rajonale dhe forcimit të bashkëpunimit me vendet fqinje, rruga për të kaluar nga potenciali në ndikim real mbetet ende e gjatë dhe e mbushur me sfida.

Pavarësisht vullnetit institucional dhe angazhimit politik, zbatimi konkret në terren i projekteve ndërkufitare kërkon një nivel më të lartë koordinimi ndërinstitucional, burime njerëzore të specializuara dhe një kuadër teknik më të zhvilluar për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian.

Kapacitetet për të përthithur fonde në mënyrë efikase, për të hartuar projekte të qëndrueshme dhe për t’i zbatuar ato brenda afateve të përcaktuara, janë ende në ndërtim e sipër.

Kjo krijon një hendek mes mundësive që ofrohen në kuadër të strategjive si EUSAIR dhe rezultateve konkrete që qytetarët mund të ndiejnë në jetën e përditshme.

Për këtë arsye, nevoja për trajnime, ngritje kapacitetesh dhe krijimin e një kulture bashkëpunimi afatgjatë midis institucioneve qendrore, pushtetit vendor dhe shoqërisë civile është më urgjente se kurrë.

Ndërkohë që Maqedonia e Veriut merr Presidencën e radhës të Strategjisë për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR), Shqipëria ka një mundësi të mirë për të forcuar dhe për të konsoliduar rolin e saj si një aktor konstruktiv dhe proaktiv në rajon.

Kjo është një periudhë vendimtare për të shfaqur jo vetëm angazhim politik, por edhe kapacitet teknik dhe menaxherial për të çuar përpara projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm.

Çështje si mbrojtja e detit Adriatik nga ndotja, menaxhimi inteligjent i burimeve detare, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm dhe përmirësimi i infrastrukturës bregdetare janë sfida që nuk mund të adresohen në mënyrë të izoluar nga një vend i vetëm.

Ato kërkojnë një qasje të integruar dhe të koordinuar rajonalisht, e cila është pikërisht ajo që EUSAIR ofron si mekanizëm. Shqipëria ka çdo arsye për të qenë në ballë të këtyre përpjekjeve, jo vetëm si përfituese, por si bashkudhëheqëse e transformimeve të domosdoshme për të ardhmen e përbashkët të rajonit.

 

 

Fokusi në zhvillimin e qëndrueshëm dhe ekonominë blu

EUSAIR mbështetet mbi katër shtylla kryesore: zhvillimi blu, lidhjet e transportit dhe energjisë, mbrojtja e mjedisit dhe turizmi i qëndrueshëm. Për Shqipërinë, dy shtyllat që duken më strategjike janë zhvillimi blu dhe mbrojtja e mjedisit.

Me një vijë bregdetare prej mbi 400 km, Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar sektorë të tillë si peshkimi i qëndrueshëm, turizmi bregdetar, energjia detare dhe akuakultura.

Por ky potencial shoqërohet me sfida serioze, si ndotja bregdetare, ndërtimet informale apo mungesa e planifikimit afatgjatë.

Në këtë kontekst, projektet e përbashkëta në kuadër të EUSAIR shërbejnë si platforma bashkëpunimi për të adresuar problemet e përbashkëta të rajonit, nga ndotja e detit Adriatik e deri tek edukimi i popullsisë për mbrojtjen e ekosistemit detar.

 

Rinia, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkufitar

Një tjetër dimension i rëndësishëm i strategjisë është përfshirja e të rinjve dhe promovimi i ideve të reja.

Përmes EUSAIR POPRI, një nismë që mbështet konkurrencat për modele biznesi nga të rinjtë, edhe të rinjtë shqiptarë kanë pasur mundësinë të paraqesin idetë e tyre dhe të ndërveprojnë me bashkëmoshatarë nga rajoni.

Në forumin e këtij viti, një vend të veçantë zuri gara POPRI Talents, ku u prezantuan ide për zhvillimin e turizmit të gjelbër, ruajtjen e biodiversitetit, ekonominë qarkulluese dhe dixhitalizimin e zonave rurale.

Shqipëria ka potencial për të pozicionuar të rinjtë si aktorë të zhvillimit rajonal, por kjo kërkon më shumë mbështetje institucionale dhe orientim drejt arsimit praktik dhe inovativ.

 

Çfarë është EUSAIR?

Emri i plotë: Strategjia e Bashkimit Europian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EU Strategy for the Adriatic and Ionian Region)

Prezantimi: 2014

Vendet pjesëmarrëse (10): Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Greqi, Itali, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, San Marino, Serbi, Slloveni.

Shtyllat kryesore të strategjisë:

  1. Zhvillimi Blu
  2. Transporti dhe energjetika
  3. Mjedisi dhe shkëmbimet ndërkulturore
  4. Turizmi i qëndrueshëm

Programi financiar: IPA ADRION – financim për bashkëpunim ndërkufitar dhe projekte të përbashkëta

Instrumentet kryesore për të rinjtë dhe inovacionin: POPRI Talents, EU Macro-Regional Strategies Week, EUSAIR Facility Point

 

 

 

The post E ardhmja blu e Shqipërisë appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

twenty + 2 =