Hita: 132 policë të dëmtuar në protesta, 5 sot; një efektiv me fraktura të shumta në gojë dhe nofull

0

Gjatë protestave në Tiranë, Shkodër dhe Lezhë janë lënduar gjithsej 132 punonjës policie. Bilancin e bëri publik Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili njoftoi se disa prej efektivëve vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor në spital.

Vetëm sot, sipas Hitës, janë dëmtuar 5 policë. Njëri prej tyre ka marrë lëndime të rënda në zonën e gojës dhe të nofullës, ku ka pësuar fraktura të shumta.

Duke dënuar sulmet ndaj efektivëve, kreu i Policisë tha se janë sekuestruar disa prej sendeve që protestuesit kanë përdorur për të goditur. Ai renditi gurë, pllaka guri, sende metalike, zara metalikë të lëshuar me llastiqe, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe objekte të tjera, me të cilat janë sulmuar punonjësit e Policisë gjatë ditëve të tubimeve.

Hita theksoi se numri i policëve të lënduar dhe të plagosur është shumë i madh dhe se pjesa kryesore e dëmtimeve nga dhuna është regjistruar në Tiranë, ndërsa raste ka pasur edhe në Shkodër e Lezhë.

Ai u shpreh kundër lëndimit si të protestuesve, ashtu edhe të efektivëve, duke vënë në dukje se disa punonjës policie janë dëmtuar po aq rëndë sa protestuesit. Sipas tij, nuk mund të pranohet që policët, të cilët kanë të drejtën të mbrojnë institucionet, jetën, pronën dhe biznesin, të bëhen objekt sulmesh masive e të paprecedenta.

Në emër të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si edhe të mbrojtjes së jetës e pronës, Hita u kërkoi personave të përfshirë në akte dhune t’u japin fund menjëherë veprimeve të paligjshme. Njëherësh, ai ftoi qytetarët të largohen nga personat e dhunshëm, duke theksuar se ata nuk përfaqësojnë studentët dhe aspiratat e tyre.

The post Hita: 132 policë të dëmtuar në protesta, 5 sot; një efektiv me fraktura të shumta në gojë dhe nofull appeared first on Albeu.com.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

ten − three =