Frika se në zyrat e këmbimit pastrohen para e ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të caktojë kushte të reja për këto biznese. Në projektvendimin e hedhur në konsultim nga Banka e Shqipërisë thuhet se nuk do të lejohet që në zyrat e këmbimit valutore të këmbehen më shumë se 1 milionë lekë.
“Nuk kryen transaksione në para fizike (cash), të cilat tejkalojnë një shumë prej 1,000,000 (një milion) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, të kryera në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhur me njëri-tjetrin. Transaksionet që tejkalojnë shumën 1,000,000 (një milion) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, kryhen nëpërmjet llogarive bankare ose llogarive të pagesave”, thuhet në projektrregullore.
Ky kufizim bëhet për të parandaluar pastrimin e parave, apo aktivitete të tjera të paligjshme.
Banka Qendrore ka shtuar si kriter për licencimin e zyrave të këmbimit valutor edhe përshtatshmërinë, reputacionin e mirë dhe integritetin e aksionerit/ortakut, pronarit përfitues dhe administratorit të subjektit gjatë momentit të licencimit.
Ndërsa kapitali fillestar minimal i kërkuar për t’u licencuar si zyrë e këmbimit valutor nga 2,5 milionë lekë që ishte është bërë 5 milionë lekë.














