Goditet një grup kriminal për trafikim armësh, kultivim dhe shitje të kanabisit. 4 shtetas në pranga, 6 armë zjarri e gjahu, 4000 fidanë kanabisi, 5000 fara kanabisi, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, radio dhe uniforma si të Policisë, të sekuestruara.Detajet e operacionit ‘Procedimi’ janë bërë të ditura nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Skender Hita, i cili tha se nga hetimet rezultoi se ky grup merrej edhe me kultivimin dhe shitjen e kanabisit.
“Gjatë operacionit u ushtruan 8 kontrolle banesash, 2 kontrolle në ambiente të dyshuara për magazinim të armëve dhe të municionit luftarak, si dhe 3 kontrolle automjetesh. Gjatë këtyre kontrolleve u sekuestruan: 4000 fidanë kanabisi (2000 të mbjellë në tokën në pronësi të shtetasit B. B. dhe 2000 të kultivuar në kubikë); 3 armë zjarri automatike, 2 armë gjahu dhe 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 5000 fara kanabisi; 2 radio si të Policisë, 2 uniforma policie, 1 maskë plastike me paruke; 3 automjete dhe 10 celularë. Gjithashtu, në banesën e shtetasit N. O., në Durrës, u sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë, të cilën ky shtetas tentoi ta hidhte nga dritarja, në momentin e ndërhyrjes së Policisë”, tha për mediat Skender Hita.
Në kuadër të këtij operacioni u ndaluan shtetasit Boran Buzi, Niko Osma, Qamil Shurdhi dhe Besim Buzi. Operacioni vijon për të identifikuar dhe kapur shtetasit e tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.
“Nga hetimet rezultoi se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe municioneve të kalibrave të ndryshëm, si dhe mbanin armë zjarri, për qëllime kriminale. Ky aktivitet kryhej në disa qytete të vendit, si Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër dhe Kukës, ndërsa në disa raste armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në PKK Morinë”, tha Hita.










