Sarandë, policia ka bërë jackpot me ndalimin e një mjeti luksoz mbrëmjen e djeshme.
Pavarësisht se me pak lodhje dhe ndjekje në tokë dhe det policia ka arrestuar Endri Doku, Ervis Cukalin dhe Imer Gegën.
Mbrëmë teksa policia ndaloi mjetin ‘porche’, Endri Doku ja futi vrapit dhe u hodh bashkë me një çantë dore në det, por fatmirësisht policia kufitare ishte në patrullim dhe e kapi, u gjet dhe çanta, brenda së cilës ishte një pistoletë me 16 fishekë.
Por operacioni nuk mbaroi këtu, kur policia verifikoi të ndaluarit, njëri prej tyre rezultoi të ishte Ervis Cukali, i kërkuar që në gusht të 2023 për sigurim të 23 kg eksploziv, me të cilin dyshohet se do bëhej atentat. Lënda eksplozive u kap në makinën e Albi Mecinit, i cili dyshohet edhe për rrëmbimin dhe vrasjen e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit në Sarandë në 2023.
Njoftimi i policisë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, operacioni policor i koduar “Diving”.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Qarkullonin të armatosur me pistoletë dhe municion luftarak, në një automjet luksoz, njëri prej tyre tentoi të arratisej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma.
Vihen në pranga 3 shtetas, mes tyre edhe një person në kërkim për vepra të rënda penale.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 16 fishekë dhe automjeti tip “Porsche”.
Në vijim të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lidhur me një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje që cenonte sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Diving”.
Si rezultat, në lagjen nr. 1, rruga “Butrinti”, Sarandë, u ndalua për kontroll automjeti luksoz tip “Porsche”, me të cilin udhëtonin 3 shtetas. Gjatë veprimeve, njëri prej tyre, shtetasi E. D., tentoi të largohej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma e zjarrit, me qëllim humbjen e provave. Por falë reagimit të shpejtë të punonjësve të Policisë, me mbështetjen e Policisë Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.
Gjithashtu, nga punonjësit e Policisë Sarandë u bë e mundur, brenda një kohe shumë të shkurtër, gjetja e çantës me armën që ky shtetas tentoi të fshihte duke e hedhur në det.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:
- E. D., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;
- I. G., 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
- B. C., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i cili rezultoi edhe person i shpallur në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.
Arma e zjarrit (pistoletë), municioni luftarak dhe automjeti tip “Porsche” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.










