Teprica e kapitalit e sektorit bankar pësoi rënie në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, teprica e kapitalit në fund të muajit qershor zbriti në vlerën e 28 miliardë lekëve, 28% më pak (11 miliardë lekë) krahasuar me fundin e vitit të kaluar dhe afërsisht 50% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Teprica e kapitalit konsiston në diferencën mes kapitalit faktik të sektorit bankar dhe kapitalit minimal që ai duhet të zotërojë, mbështetur në kërkesat rregullatore të Bankës së Shqipërisë. Një tepricë kapitali tregon aftësinë e sektorit bankar në tërësi për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme shtesë për kapital. Ecuria e tepricës së kapitalit përcaktohet nga ecuria e fitimit të bankave, sjellja e elementeve të kapitalit rregullator dhe kërkesat rregullatore që duhet të përmbushen.
Konkretisht, gjatë gjysmës së parë të këtij viti ulja e tepricës së kapitalit erdhi si pasojë e rritjes së shtesës kundërciklike të kapitalit, por edhe ngadalësimit të rritjes së fitimeve të sektorit bankar. Me qëllim plotësimin e kërkesave të kapitalit, bankat kanë injektuar kapital, kanë rritur fitimet e pashpërndara dhe kanë shtuar përdorimin e borxhit të varur. Këto elemente kanë përmirësuar treguesit e kapitalit.
Për shkak të kërkesave më të larta minimale për kapital, bankat me rëndësi sistemike
zotërojnë një tepricë kapitali më të ulët në krahasim me bankat e tjera. Në fund të 6-mujorit, teprica e kapitalit për këto banka shënonte 3 miliardë lekë, ose 10 miliardë lekë më pak sesa teprica e një gjashtëmujori më parë. Aktualisht, bankat me rëndësi sistemike janë subjekt i përmbushjes edhe të kërkesave minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL). Kjo rregullore lidhet me kuadrin e ri që ka sjellë ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”.
Bankat e tjera rezultuan me një tepricë kapitali prej 25 miliardë lekësh. Kjo vlerë ishte e krahasueshme me tepricën e llogaritur në fund të gjashtëmujorit të kaluar.
Nga ana tjetër, duhet thënë se disa prej bankave, kanë shpërndarë edhe shuma të konsiderueshme dividendësh në vitet e fundit. Një tendencë e tillë ka vazhduar edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2025, duke ndikuar rrjedhimisht edhe ecurinë e tepricës së kapitalit të sektorit.
Sektori bankar vijon të raportojë një norma të larta të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të qershorit zbriti në 19.25%, nga 19.5% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Ky tregues ka pësuar gjithashtu një rënie shumë të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në mesin e vitit të kaluar, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit kishte qenë 19.27%.
Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%, por pas vitit 2019 ka nisur aplikimi i shtesave të tjera të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si edhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Kjo i ka rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke ndikuar edhe në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.
Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në mesin e këtij viti arriti në 212.4 miliardë lekë, në rritje me 1.5% krahasuar me një tremujor më parë dhe me 9% krahasuar me një vit më parë. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.
Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në mesin e vitit 2025 arriti në 1103 miliardë lekë, në rritje me 2.7% krahasuar me tremujorin e parë dhe me 9.3% me bazë vjetore. Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat.
The post Teprica e kapitalit e sektorit bankar ulet në 28 miliardë lekë appeared first on Revista Monitor.









