Kryeministri i ri i Francës, Sébastien Lecornu, dhe qeveria e tij dhanë dorëheqjen të hënën, vetëm disa orë pasi Lecornu kishte njoftuar përbërjen e kabinetit, duke e bërë atë qeverinë me jetëgjatësinë më të shkurtër në historinë moderne të Francës, çka shkaktoi rënie të ndjeshme të bursës dhe euros.
Dorëheqja e menjëhershme ishte e papritur dhe shënoi një thellim të mëtejshëm të krizës politike në Francë. Ajo ndodhi pasi si aleatët, ashtu edhe kundërshtarët, kërcënuan se do ta rrëzonin qeverinë e re.
Lecornu ishte kryeministër për vetëm 27 ditë. Qeveria e tij zgjati vetëm 14 orë.
Partia e ekstremit të djathtë, Rassemblement National, kërkoi menjëherë që presidenti Emmanuel Macron të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga ana tjetër, e majta radikale France Unbowed deklaroi se vetë Macron duhet të largohet.
Përberja e re e kabinetit nxiti pakënaqësi
Pas javësh konsultimesh me partitë politike të spektrit të gjerë, Lecornu — një aleat i afërt i Macron — kishte emëruar ministrat e tij të dielën, dhe ata do të mbanin mbledhjen e parë të hënën pasdite.
Por përbërja e re e kabinetit zemëroi si kundërshtarët, ashtu edhe aleatët, të cilët e cilësuan ose tepër të djathtë, ose jo mjaftueshëm të tillë, duke ngritur pikëpyetje mbi jetëgjatësinë e tij, pasi asnjë grup nuk mban shumicën në një parlament të copëzuar.
Lecornu i dorëzoi dorëheqjen e tij Macron-it të hënën në mëngjes.
“Zoti Sébastien Lecornu ka paraqitur dorëheqjen e qeverisë së tij para Presidentit të Republikës, i cili e ka pranuar atë,” thuhej në njoftimin e zyrës së shtypit të Elizesë.
Politika franceze është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme që nga rizgjedhja e Macron-it në vitin 2022, për shkak të mungesës së një partie ose aleance që të mbajë shumicën parlamentare.
Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme
Vendimi i Macron-it për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e kaluar e thelloi edhe më shumë krizën, duke prodhuar një parlament edhe më të përçarë. Lecornu, i emëruar vetëm muajin e kaluar, ishte kryeministri i pestë i Macron-it në dy vjet.
“Stabiliteti nuk mund të rikthehet pa rikthimin në kutitë e votimit dhe pa shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare,” deklaroi udhëheqësi i Rassemblement National, Jordan Bardella, pas dorëheqjes së Lecornu-t.
Mathilde Panot, përfaqësuese e së majtës radikale France Unbowed, tha: “Lecornu jep dorëheqjen. Tre kryeministra të rrëzuar në më pak se një vit. Ka nisur numërimi mbrapsht. Macron duhet të largohet.”
Rënie e bursës franceze dhe e euros
Indeksi francez CAC 40 ra me 2% pas dorëheqjes së Lecornu-t, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga muaji gusht dhe duke u bërë treguesi më i dobët në Europë.
Aksionet bankare u goditën më fort, me BNP Paribas, Société Générale dhe Crédit Agricole që ranë nga 5.7% deri në 7.3%.
Euro gjithashtu pësoi rënie prej 0.7% gjatë ditës, duke zbritur në 1.1665 dollarë amerikanë.
Paqëndrueshmëri e thellë
Franca rrallë ka përjetuar një krizë politike kaq të thellë që nga krijimi i Republikës së Pestë në vitin 1958, sistemi aktual i qeverisjes.
Kushtetuta e vitit 1958 u hartua për të garantuar një qeverisje të qëndrueshme, duke i dhënë presidentit kompetenca të fuqishme dhe një shumicë të fortë parlamentare, në mënyrë që të shmangej paqëndrueshmëria që karakterizonte periudhat menjëherë para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, Emmanuel Macron – i cili në ngjitjen e tij në pushtet në vitin 2017 riformësoi të gjithë skenën politike franceze – tani përballet me një parlament të copëzuar, ku qendra nuk mban më ekuilibrin dhe ku ndikimin kryesor e kanë fituar e djathta ekstreme dhe e majta radikale.
Franca nuk është mësuar të ndërtojë koalicione dhe të kërkojë konsensus./ Reuters
The post Kryeministri i ri i Francës jep dorëheqjen, më pak se një muaj nga emërimi appeared first on Revista Monitor.








