Teknologjia përshpejton, njerëzit bëjnë ndryshimin: Historia e Delta Pharma

0

Interviste me Lindita Tema, Chief Financial Officer dhe Szymon Komorowski, Strategic Director

Mbi 23 vite më parë, kur tregu farmaceutik shqiptar po përpiqej të gjente format dhe standardet e para të tij moderne, një kompani e re shqiptare nisi rrugëtimin me një qëllim të qartë: ta afronte sektorin e shpërndarjes më pranë praktikave më të mira europiane. Delta Pharma ishte ndër të parat që ndërmori këtë hap, duke sjellë jo vetëm produkte të reja, por mbi të gjitha mënyrën sesi duhet të funksionojë një treg i shëndetshëm, me rregulla të qarta, standarde të sigurta dhe respekt ndaj pacientit.

Për më shumë se dy dekada, kjo kompani ka ndërtuar me durim një reputacion të fortë, duke qenë një ndër promotorët kryesorë të futjes dhe aplikimit të standardeve europiane në Shqipëri. Ajo që nisi si një mision i thjeshtë për të përmirësuar furnizimin me barna, sot është kthyer në një model biznesi që ndërthur profesionalizmin, etikën dhe partneritetet afatgjata.

Delta Pharma është rritur vit pas viti duke ndërtuar një rrjet shpërndarjeje që mbulon të gjithë territorin shqiptar dhe duke krijuar bashkëpunime të forta me kompani prestigjioze ndërkombëtare. Në vend që të ndiqte rrugën e fitimeve afatshkurtra, kompania ka preferuar konsistencën, duke investuar në marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjata me partnerët dhe klientët.

Vitet e fundit, kjo filozofi u përkthye në një hap tjetër të madh, zgjerimin jashtë kufijve të Shqipërisë. Lindita Tema, CFO, tregon se si me një strukturë të dedikuar dhe një investim që ka arritur në 7 milionë euro, Delta Pharma po përditëson dhe përmirëson kapacitetet e saj në tregun e Kosovës, që është edhe vendi i parë ku kompania ka eksportuar modelin e saj të menaxhimit. Ky hap tregoi se përvoja shqiptare mund të funksionojë edhe në rajon, nëse shoqërohet me fleksibilitet dhe përshtatje ndaj dinamikave lokale. Më pas vijuan zgjerimet në Bosnjë-Hercegovinë dhe së fundi, në Maqedoninë e Veriut.

Në procesin e rritjes, një rol të veçantë ka pasur mbështetja e partnerëve strategjikë. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka luajtur një rol thelbësor në zhvillimin e hallkës që ka afruar Delta Pharma-n me pacientët, rrjetin farmaceutik “Ditë e Natë”. Siç thekson Szymon Komorowski, Drejtor Strategjik i kompanisë: “Një partner kyç që na ka mbështetur në rritjen tonë që prej vitit 2023 është BERZH. Ky partneritet mori formë konkrete me nënshkrimin e një marrëveshjeje kredie në kuadër të Kornizës së Ndarjes së Rrezikut (Risk Sharing Framework (RSF).”

Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e Delta Pharma Adria, por edhe për vetë sektorin farmaceutik shqiptar, duke sjellë një instrument financiar që mbështet rritjen e kompanive serioze dhe të qëndrueshme. Financimi do të përdoret për të mbështetur rritjen e vazhdueshme në tregun vendas nëpërmjet zgjerimit të qendrës logjistike ekzistuese, rritjes së efikasitetit dhe sigurisë së zinxhirit të furnizimit. Partneriteti me BERZH-in është një tregues i besimit që kanë partnerët dhe konfirmon Delta Pharma-n si një nga aktorët kryesorë në tregun farmaceutik në Shqipëri.

Në sajë të kësaj marrëveshjeje, “Ditë e Natë” është tashmë rrjeti farmaceutik më i madh në Shqipëri, duke forcuar prezencën në të gjithë vendin e duke ju shërbyer pacientëve me cilësi të lartë, siguri dhe profesionalizëm në 100+ farmaci.

Një nga shtyllat kryesore të suksesit të Delta Pharma është përqafimi i teknologjisë dhe inovacionit. Në një sektor ku cilësia e shërbimit dhe siguria e produktit janë jetike, kompania ka investuar vazhdimisht në logjistikë moderne, sisteme digjitale dhe teknologji të ruajtjes. Këto investime kanë mundësuar jo vetëm rritjen e kapaciteteve, por edhe garantimin e standardeve më të larta të sigurisë për pacientët.

Por inovacioni nuk shihet vetëm si një mjet teknik. Për Delta Pharma, transformimi i vërtetë vjen nga balanca mes teknologjisë dhe njerëzve. Pikërisht këtu merr kuptim slogani që udhëheq kulturën e brendshme: “Teknologjia përshpejton. Njerëzit bëjnë ndryshimin.”

Në një kohë kur shumë kompani fokusohen vetëm tek automatizimi, Delta Pharma ka zgjedhur një qasje më gjithëpërfshirëse, investimin e barabartë në teknologji dhe në njerëzit që qëndrojnë pas saj. Me afro 450 punonjës, shqiptarë e të huaj, që kombinojnë ekspertizën lokale me eksperiencën ndërkombëtare, kompania i kushton vëmendje të veçantë burimeve njerëzore. Në Delta Pharma dhe Ditë e Natë, liderët, menaxherët, specialistët dhe ekipet janë ata që ndërtojnë marrëdhënie dhe kulturë afatgjatë, duke e kthyer kompaninë në një vend pune ku vlerat kanë të njëjtën rëndësi sa edhe rezultatet financiare. Programi i zhvillimit të talenteve lind kështu si nevojë për punonjës të aftë, të edukuar me frymën korporative, të cilët janë në një linjë me parimet e lidershipit të kompanisë e që shpesh u bashkohen ekipeve që në vitin e fundit të studimeve universitare.

Kjo filozofi është bërë konkrete përmes nënshkrimit të Parimeve të Fuqizimit të Grave (WEPs) në bashkëpunim me UN Women. Lindita tregon se aktualisht mbi 65% e pozicioneve drejtuese në kompani mbahen nga gra, një përqindje që jo vetëm rivalizon mesataren rajonale, por edhe e vendos Delta Pharma si një shembull frymëzues për sektorin privat shqiptar.

E ardhmja e Delta Pharma është e lidhur ngushtë me vizionin për rajonin. Kompania nuk synon vetëm zgjerimin e tregjeve, por synon të ndërtojë një hub farmaceutik për Ballkanin Perëndimor, ku rrjedha e produkteve, teknologjisë dhe informacionit të jetë më efikase, më transparente dhe më pranë pacientit.

Ky vizion përkon edhe me transformimet e mëdha që po kalon vetë sektori farmaceutik globalisht: digjitalizim, automatizim, por mbi të gjitha integrim rajonal e ndërkombëtar. Duke qenë e pozicionuar në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut, Delta Pharma ka mundësinë unike për të shërbyer si urë lidhëse mes tregjeve të Ballkanit dhe partnerëve europianë.

Historia e Delta Pharma është shembull se si një kompani shqiptare mund të kalojë nga një aktor kombëtar në një lojtar rajonal, pa humbur identitetin dhe vlerat që e karakterizojnë. Përvoja mbi 20-vjeçare, investimet e qëndrueshme dhe besimi te njerëzit janë bazat mbi të cilat kompania do të shkruajë kapitullin e radhës.

The post Teknologjia përshpejton, njerëzit bëjnë ndryshimin: Historia e Delta Pharma appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

10 + 2 =