Tarifat e SHBA-së shtojnë presion mbi BQE-në në korrik, por nuk ndërpresin pauzën e uljes së normave

0

Kërcënimi i Presidentit të SHBA-së Donald Trump për një tarifë 30% mbi importet e Bashkimit Europian po e ndërlikon vendimmarrjen e Bankës Qendrore Europiane, por nuk ka gjasa të prishë planet për një pauzë të uljes së normave javën e ardhshme, thanë pesë politikëbërës të Bankës Qendrore Europiane.

BQE sinjalizoi pas takimit të qershorit se ka të ngjarë t’i mbajë normat e interesit të pandryshuara më 23-24 korrik.

Por tarifa 30% e propozuar nga Trump është më e lartë se sa kishte parashikuar BQE-ja edhe në skenarin më negativ nga tre skenarët për ekonominë e Eurozonës që publikoi muajin e kaluar.

Kjo do të thotë që BQE-ja është detyruar të kryejë vlerësime të reja dhe tani politikëbërësit mendojnë për një rezultat më negativ sesa në qershor, thanë pesë burimet, të gjithë anëtarë të Këshillit Drejtues të BQE-së.

Ata thanë se guvernatorët ngurrojnë të veprojnë në bazë të asaj që është ende një kërcënim, megjithatë, veçanërisht duke pasur parasysh deklaratat ndonjëherë kontradiktore të bëra nga administrata e Trump, që nga njoftimi i tij i parë për tarifat globale në prill. Prandaj, çdo diskutim në lidhje me uljen e normave ka të ngjarë të mbahet për takimin e BQE-së në shtator.

Trump tha të dielën se tarifat e tij do të hyjnë në fuqi më 1 gusht, dhe Komisioni Europian gjithashtu ka ndaluar kundërmasat deri në atë datë.

Ekonomistët e tregut kanë thënë kryesisht se mendojnë se është e pamundur, që Trump të vazhdojë me kërcënimin e tij të tarifave për shkak të dëmit që do t’i shkaktonte ekonomisë amerikane në aspektin e inflacionit më të lartë dhe rritjes më të ulët.

Por nëse vendoset taksa 30%, ata presin që BQE të ulë normat e interesit.

Analistët e Barclays parashikuan një ulje të normës së depozitave të BQE-së në vetëm 1% deri në marsin e ardhshëm nga 2% aktual, nëse SHBA-të vendos një normë mesatare tarifore 35% për mallrat e BE-së, të cilën ata vlerësuan se do të zbriste 0.7 pikë përqindjeje nga rritja e Eurozonës.

Projeksionet më të fundit makroekonomike të BQE-së, të publikuara në qershor, vunë në dukje një rimëkëmbje graduale të ekonomisë së Eurozonës në vitet e ardhshme, me inflacionin që luhatet rreth objektivit 2%.

Këto projeksione supozonin si bazë një tarifë 10% mbi eksportet e mallrave të BE-së në SHBA, e cila do ta çonte rritjen ekonomike të Eurozonës në 0.9% këtë vit, 1.1% vitin e ardhshëm dhe 1.3% në vitin 2027.

Por parashikimet sipas një skenari alternativ të publikuar në të njëjtën kohë, treguan se një tarifë 20% e SHBA-së do të frenonte rritjen me 1 pikë përqindjeje gjatë së njëjtës periudhë dhe gjithashtu do të ulte inflacionin në 1.8% në vitin 2027, nga 2.0% në skenarin bazë. / Reuters

The post Tarifat e SHBA-së shtojnë presion mbi BQE-në në korrik, por nuk ndërpresin pauzën e uljes së normave appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

5 × two =