Perspektiva për ekonomitë e Europës Lindore, të cilat për dekada kanë përfituar nga globalizimi, po përkeqësohet ndërsa Shtetet e Bashkuara rrisin tarifat, sipas Beata Javorcik, kryeekonomiste në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Rajoni, që tashmë është kryesisht pjesë e Bashkimit Europian dhe i përfshirë në aleancën ushtarake të NATO-s, ka përfituar ndjeshëm duke përqafuar tregtinë e lirë pas rënies së komunizmit, veçanërisht në aspektin e transferimit të teknologjisë, që ka riformësuar ekonomitë e tij.
Tani, përpjekja e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të transformuar tregtinë globale pritet të përkeqësojë kushtet tregtare për ekonomitë – kryesisht të vogla dhe të hapura – të rajonit, tha Javorcik.
Tarifat e SHBA-së për vendet në të cilat BERZH ushtron aktivitet janë rritur në një mesatare 10%, nga më pak se 2%, me vendet eksportuese të makinave dhe pjesëve të këmbimit, si Sllovakia dhe Hungaria, që përballen me tarifa deri në 20%.
Sistemi tregtar i organizuar nga Organizata Botërore e Tregtisë mbrojti ekonomitë e vogla nga presioni i vendeve të mëdha. Ajo që po shohim është një erozion i rregullave globale të tregtisë dhe një zhvendosje drejt negociatave dypalëshe, që natyrisht do të thotë se vendet më të vogla kanë më pak fuqi negociuese.
Ndërsa Trump shpallte ultimatumet e tij të fundit tarifore, duke propozuar një normë 30% për Bashkimin Europian dhe Meksikën, modelet e BERZH-it parashikojnë që tarifat të mbeten në nivelet aktuale dhe se përbërja e eksporteve nuk do të ndryshojë si pasojë e luftës tregtare.
Banka parashikon një goditje 0.8% në produktin e brendshëm bruto të Sllovakisë dhe një ngadalësim shtesë 0.4% për ekonominë hungareze. Ndikimi i drejtpërdrejtë në vendet e tjera të rajonit është shumë më modest.
Ndikimi indirekt
Megjithatë, goditja indirekte pritet të jetë më e fortë, veçanërisht pasi Trump synon Gjermaninë, deri tani tregu më i madh i eksportit për shumicën e vendeve të Europës Lindore. Kjo pritet të ngadalësojë rritjen rajonale me një mesatare 0.8%, sipas Javorcik.
Lëvizjet e Trump- po injektojnë gjithashtu më shumë pasiguri politike sesa është vërejtur gjatë krizës financiare globale pothuajse dy dekada më parë. Kjo pasiguri po frenon vendimmarrjen për investime, ndërsa tkurrja potenciale e tregjeve të eksportit po zbeh gjithashtu stimujt për të rritur shpenzimet për kërkim dhe zhvillim.
“Tregjet në zhvillim do të vuajnë nëse globalizimi ndalon,” përfundoi ajo. / Bloomberg
The post BERZH: Tarifat e Trump godasin ekonomitë në zhvillim të Europës Lindore appeared first on Revista Monitor.








