Një skemë e re për strehimin social po bëhet gati nga qeveria, që në fokus do të ketë ‘shtëpi për çiftet e reja dhe jo vetëm’.
Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja gjatë një takimi të zhvilluar në një biznes në Tiranë ka deklaruar se do të rishikohet skema e strehimit, që do të fokusohet në ndërtime pallatesh vetëm për çiftet pa shtëpi, kredi të lira dhe interesa të ulta.
“Duke parë që tregu është çmendur me çmimet e larta dhe janë të papërballueshme, ne nuk ndalojmë tregun, por do të reformojmë strehimin social. Do ndërtojmë banesa të studiuara për strehim me çmime të favorshme. Do kemi një plan që do të lidhemi me kompanitë e punësimit, ata punonjës do të kenë prioritet. Përveç çmimit edhe kostot e kredisë do të jenë goxha të ulura sipas numrit të fëmijëve”, është shprehur Gonxhja.
Prej vitesh çmimet e pronave të patundshme kanë arritur në shifra rekord, duke u bërë të papërballueshme për pjesën dërrmuese të qytetarëve.
Pak ditë më parë Banka e Shqipërisë njoftoi se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024 çmimet e banesave u rriten me 23.6% në raport me gjashtëmujorin e parë, kurse krahasuar me vitin 2023, çmimi i apartamenteve u rrit me 44.5%.
“Gjysma e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 72% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës”, thuhej në vrojtim.











