Kreditë me probleme në sektorin bankar kanë rënë në nivelin 4% në muajin shkurt, duke u ulur me 6 herë në krahasim me vitin 2024 kur niveli i kredisë së keqe kishte arritur në 24%. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë kreditë me probleme në shkurt zbritën në 4% nga 4.6% që ishin në shkurt të vitit të shkuar.
Vlera e kredive me probleme nëpër banka është 344 milionë euro nga 351 milionë euro që ishte në vitin e shkuar.
Kryetari i PS-së Edi Rama meritat për këtë shlyerje të kredive ja atribuoi qeverisë së tij, teksa tha nga Elbasani se shpëtuan bankat nga një kolaps.
“Kur erdhëm ne në pushtet çereku i kredive në banka ishin të këqija, që do të thotë se bankat jepnin kredi për qytetarët nuk i kthenin dot. Kur norma e kredive me probleme arrin sa çereku i totalit të kredive do të thotë se bankat janë në rrezik kolapsi”, tha Rama.
Sipas Ramës kjo gjendje u shkaktua nga politika e qeverisë së Berishës, që nuk paguanin kompanitë për tenderat e rrugëve dhe më pas u thoshin të merrnin kredi se do ua paguante shteti.
Ndikim pozitiv në shlyerjen e kredive në kohë ka dhënë ulja e interesave, si rezultat i uljes së normës bazë nga Banka e Shqipërisë, por edhe zhvlerësimi i valutave ka dhënë kontribut pasi i bën më të lira kreditë e marra në monedhë të huaj.









