Serbia 5 miliardë euro eksporte në sektorin e ICT

0

Serbia parashikon që eksportet nga sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) të arrijnë në 5 miliardë euro gjatë vitit 2025, pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit e industrisë pas vendimit të qeverisë, për të ndërprerë skemën e incentivave për punësimin e profesionistëve të huaj.

Ana Brnabić, presidente e Kuvendit Kombëtar, deklaroi në rrjetin social X se eksportet e sektorit kanë kaluar tashmë shifrën 1.8 miliardë euro gjatë pesë muajve të parë të vitit, një rritje 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

“Vetëm 13 vite më parë, eksportet vjetore të sektorit ICT ishin 375 milionë euro, 13 herë më pak”, – shkroi Brnabić, duke theksuar rritjen e shpejtë të industrisë.

Sektori i ICT në Serbi është kthyer në një prej motorëve kryesorë të ekonomisë, me eksportet vjetore që janë rritur nga 375 milionë euro në vitin 2012 në mbi 4 miliardë euro në vitin 2024. Qeveria ka mbështetur në mënyrë aktive këtë sektor përmes projekteve të infrastrukturës dixhitale dhe politikave për nxitjen e start-upeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Megjithatë, shfuqizimi i fundit i skemës kryesore të incentivave për punësimin e shtetasve të huaj ka ngjallur shqetësime te të punësuarit në sektor. Rregullorja për Incentivat për Punësimin e të Huajve, e miratuar në vitin 2022 për të tërhequr talente ndërkombëtare në teknologji, u ndërpre në fillim të korrikut. Qeveria e justifikoi vendimin me rritjen e ndjeshme të aplikimeve nga të huajt dhe shtimin e qëndrueshëm të punëtorëve ndërkombëtarë në vend.

Drejtues të industrisë e kritikuan vendimin, duke paralajmëruar për një largim të mundshëm të talenteve të huaja dhe kompanive teknologjike nga vendi. Shoqata Serbe e Teknologjisë së Informacionit (SITA) vlerëson se ky hap mund të cenojë statusin e Serbisë si një qendër teknologjike rajonale.

Rregullorja e shfuqizuar kishte në fokus punonjësit e huaj të kualifikuar, që nuk kishin qëndruar në Serbi për më shumë se 180 ditë gjatë dy viteve të fundit dhe që punësoheshin në pozicione të përhershme me paga mujore mbi 300,000 dinarë (2,560 euro). Kjo politikë ishte veçanërisht tërheqëse për profesionistët rusë të teknologjisë, shumë prej të cilëve u zhvendosën në Serbi pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Me gjithë ndryshimet në politikë, analistët mbeten optimistë, por të matur. Sektori i ICT në Serbi punëson mbi 115,000 persona, dhe pagat mesatare janë ndër më të lartat në vend. Në mars të vitit 2025, zhvilluesit e softuerëve fitonin mesatarisht 310,417 dinarë në muaj, më shumë se dyfishi i mesatares kombëtare.

Brnabić njoftoi gjithashtu plane për të mbështetur rritjen e mëtejshme të sektorit nëpërmjet vizitave parlamentare në qendrat shkencore dhe teknologjike në Kragujevac, Çaçak, Nish dhe Krushevac, pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zgjeruar infrastrukturën dixhitale të vendit.

Edhe pse disa ekonomistë argumentojnë se skemat e incentivave nuk janë të qëndrueshme në afatgjatë, drejtuesit e sektorit të ICT paralajmërojnë se ndryshimet e papritura në politika cenojnë parashikueshmërinë dhe atraktivitetin e peizazhit teknologjik në Serbi.

Në vitin 2024, eksportet ICT arritën në 4.13 miliardë euro, një rritje 20% krahasuar me një vit më parë. Nëse trendet aktuale vazhdojnë, objektivi 5 miliardë euro duket i arritshëm, edhe pse në një klimë më të pasigurt.

The post Serbia 5 miliardë euro eksporte në sektorin e ICT appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

twenty − six =