Intervistë me Matej Zakonjšek, Drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Traktatit të Komunitetit të Transportit
Në një moment kyç për zhvillimin e infrastrukturës rajonale dhe përshpejtimin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria po intensifikon përpjekjet për t’u lidhur me Rrjetin Trans-Europian të Transportit (TEN-T).
Investimet në korridore strategjike rrugore dhe hekurudhore, përfshirë Korridorin VIII dhe Adriatiko-Jonian, po e pozicionojnë vendin si një nyje të rëndësishme logjistike në rajon.
Në këtë intervistë ekskluzive, Matej Zakonjšek, Drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Traktatit të Komunitetit të Transportit, flet për përparimin e Shqipërisë, sfidat e mbetura dhe rëndësinë e zbatimit të standardeve të BE-së për të garantuar një sistem transporti të qëndrueshëm, të sigurt dhe të integruar me Europën.
Cili është statusi aktual i projekteve të infrastrukturës në Shqipëri për integrimin në rrjetin TEN-T, veçanërisht në lidhje me Korridorin Ballkan Perëndimor – Mesdheu Lindor?
Shqipëria po përparon me hapa të qëndrueshëm në modernizimin e infrastrukturës së saj të transportit, me synim forcimin e lidhjeve me Bashkimin Europian përmes Rrjetit Trans-Europian të Transportit (TEN-T), sidomos përgjatë Korridorit Ballkan Perëndimor – Mesdheu Lindor.
Modernizimi i hekurudhave është ndër prioritetet kryesore të vendit, ashtu si në të gjithë BE-në. Rrjeti pothuajse i tërë hekurudhor në Shqipëri ndodhet në faza të ndryshme modernizimi, duke filluar nga përgatitja e projekteve, studimet e fizibilitetit e deri te zbatimi i punimeve, dhe pjesa më e madhe e këtyre projekteve janë pjesë e Rrjetit Thelbësor TEN-T dhe të Korridorit Ballkan Perëndimor – Mesdheu Lindor.
Për shembull, një nga projektet kryesore – lidhja hekurudhore Durrës–Tiranë–Aeroport – është tashmë në ndërtim e sipër dhe po hyn në fazën përfundimtare.
Linja të tjera strategjike si Durrës–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, tashmë kanë siguruar financimin: vetëm këtë muaj, Banka Europiane e Investimeve dhe Qeveria Shqiptare kanë nënshkruar një marrëveshje financiare me vlerë 90.5 milionë euro për rindërtimin e këtij seksioni hekurudhor.
Sa u përket rrugëve, Shqipëria është përqendruar në përmirësimin e korridoreve strategjike si Korridori Adriatiko-Jonian dhe Korridori VIII, pjesë e Rrjetit Rrugor Thelbësor TEN-T.
Aktualisht, qeveria po punon për modernizimin e afro 180 kilometrave rrugë me një investim prej rreth 1.75 miliardë eurosh. Këto projekte do të përmirësojnë ndjeshëm lëvizshmërinë e brendshme dhe lidhjet ndërkufitare me vendet fqinje.
Projekte si Unaza e Tiranës dhe përmirësimet në autostradën Tiranë–Durrës janë në zbatim, ndërsa të tjera, që përfshijnë unaza të reja dhe lidhje rrugore drejt Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, janë në faza të avancuara përgatitjeje.
Këto investime dëshmojnë angazhimin e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi transporti modern, të sigurt dhe efikas, që mbështet bashkëpunimin rajonal dhe e afron vendin më tej me Bashkimin Europian.
Hekurudhat
Për shembull, një nga projektet kryesore – lidhja hekurudhore Durrës–Tiranë–Aeroport – është tashmë në ndërtim e sipër dhe po hyn në fazën përfundimtare. Linja të tjera strategjike si Durrës–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, tashmë kanë siguruar financimin: vetëm këtë muaj, Banka Europiane e Investimeve dhe Qeveria Shqiptare kanë nënshkruar një marrëveshje financiare me vlerë 90.5 milionë euro për rindërtimin e këtij seksioni hekurudhor.
Raporti më i fundit i Komunitetit të Transportit thekson se 69.48% e rrjetit rrugor thelbësor TEN-T në Ballkanin Perëndimor është në gjendje të mirë ose shumë të mirë fizike. Si do ta vlerësonit gjendjen e segmenteve shqiptare të këtij rrjeti dhe cilat janë planet për të përmirësuar pjesët e mbetura?
Në Shqipëri po shënohet përparim në përmirësimin e rrjetit rrugor thelbësor, pasi disa segmente kryesore janë tashmë në gjendje të mirë ose shumë të mirë. Megjithatë, disa pjesë ende kërkojnë përmirësime për të përmbushur standardet më të fundit të BE-së, sidomos ato që janë përcaktuar në Rregulloren e re TEN-T që hyri në fuqi në korrik 2024.
Kjo rregullore e re nuk fokusohet vetëm te cilësia e rrugëve, por parashikon edhe kërkesa të qarta teknike për ta bërë transportin më të sigurt, më miqësor me mjedisin dhe më efikas në të gjithë Europën.
Ajo kërkon, ndër të tjera, zona pushimi me shërbime çdo 60 km në rrjetin thelbësor, parkingje të sigurta çdo 150 km, stacione karikimi për karburante alternative dhe sisteme për peshimin e automjeteve në lëvizje. Këto janë objektiva ambicioze, që përbëjnë sfidë jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për shumë shtete anëtare të BE-së.
Për të përmbushur këto standarde deri në afatin e vitit 2030, Shqipëria do të duhet të vijojë modernizimin e infrastrukturës së saj, duke u fokusuar veçanërisht te rrugët më të rëndësishme që e lidhin me fqinjët dhe me BE-në.
Lajmi i mirë është se disa projekte kyçe rrugore janë tashmë në zbatim ose në përgatitje, përfshirë këtu pjesë të Korridorit Adriatiko-Jonian dhe Korridorit VIII.
Në vijim, thelbësore do të jetë t’u jepen përparësi projekteve që sjellin përfitimet më të mëdha në lidhje, siguri dhe qëndrueshmëri; të përmirësohet mirëmbajtja e rrugëve krahas ndërtimit të rrjeteve të reja; dhe të investohet në infrastrukturë të gjelbër, si stacionet për automjete elektrike dhe sistemet inteligjente të transportit, për të mbështetur kalimin drejt një mobiliteti më të qëndrueshëm.
Kur flasim për rrugët, një nga çështjet më të rëndësishme është siguria rrugore. Përmirësimi i sigurisë rrugore është një pjesë thelbësore e përputhjes me kërkesat e reja të TEN-T.
Shqipëria ka bërë përparim në uljen e fataliteteve në trafik gjatë dekadës së fundit, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për ta afruar nivelin e sigurisë me mesataren e BE-së dhe për të eliminuar aksidentet fatale apo me pasoja të rënda.
Kjo përfshin përmirësimin e elementeve të sigurisë në infrastrukturë, si sinjalistika, ndriçimi dhe kalimet për këmbësorë, si dhe zbatimin më të qëndrueshëm të rregullave të trafikut.
Përmbushja e këtyre standardeve do të kërkojë fonde, koordinim dhe angazhim të fortë politik. Por përfitimet që vijnë – si udhëtimi më i shpejtë, rrugët më të sigurta, ajri më i pastër dhe lidhjet më të mira me pjesën tjetër të Europës – e bëjnë këtë objektiv të vlefshëm për t’u ndjekur.

Rehabilitimi dhe elektrifikimi i linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe rrjetin më të gjerë hekurudhor europian, konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit më të thellë. Cilat janë ndikimet e parashikuara të këtij projekti në lëvizshmërinë ndërkufitare dhe tregtinë?
Rehabilitimi dhe elektrifikimi i linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit është një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore për Shqipërinë dhe një pikë kyçe për përmirësimin e lidhjeve rajonale.
Kjo linjë, me gjatësi 120 kilometra nga afër Tiranës deri në kufirin me Malin e Zi, do të krijojë një lidhje moderne, të shpejtë dhe miqësore me mjedisin midis Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe Europës.
Financimi për këtë projekt është tashmë i siguruar dhe tenderi për punimet ndërtimore pritet të publikohet gjatë këtij viti. Pas përfundimit, kjo linjë hekurudhore do të hapë mundësi të reja për udhëtimin dhe tregtinë ndërkufitare.
Do të lehtësojë dhe përshpejtojë ndjeshëm lëvizjen e njerëzve dhe mallrave ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe më gjerë, duke nxitur aktivitetin ekonomik dhe duke forcuar bashkëpunimin rajonal.
Po aq i rëndësishëm është edhe ndikimi mjedisor i këtij projekti. Elektrifikimi i linjës do të thotë transport më i pastër dhe me më pak emetime, duke ndihmuar Shqipërinë të ecë drejt një mobiliteti më të gjelbër dhe të qëndrueshëm, në përputhje me Axhendën e Gjelbër.
Në thelb, ky projekt synon të ndërtojë ura më të forta me vendet fqinje, të hapë mundësi të reja ekonomike dhe të përshpejtojë kalimin drejt një sistemi transporti më modern dhe më miqësor me mjedisin.
Një nga sfidat e identifikuara në raportet e mëparshme është cilësia e dobët ose mungesa e lidhjeve “në miljen e fundit” midis porteve detare dhe korridoreve kryesore rrugore apo hekurudhore. Çfarë masash po ndërmerren aktualisht në Shqipëri për të përmirësuar këto lidhje, veçanërisht në rastin e Portit të Durrësit?
Përmirësimi i lidhjeve të “miljes së fundit”, pra atyre segmenteve të fundit që lidhin portet me korridoret kryesore të transportit, është thelbësor për rritjen e efikasitetit në tregti dhe logjistikë.
Në Shqipëri, po merren hapa konkretë për të adresuar këto boshllëqe, sidomos përreth portit më të madh të vendit – Portit të Durrësit.
Në aspektin hekurudhor, është planifikuar një lidhje e re midis rrjetit hekurudhor dhe Portit të ardhshëm të Porto Romanos, që pritet të bëhet porti kryesor i mallrave në vitet në vijim.
Ky projekt është përfshirë në Programin Kombëtar të Projekteve Prioritare (NSPP) dhe përgatitjet teknike janë tashmë në zhvillim. Pas ndërtimit, kjo linjë do të mundësojë një rrugë direkte dhe efikase për lëvizjen e mallrave nga deti drejt pjesës tjetër të Shqipërisë dhe më gjerë.
Në aspektin rrugor, po zgjerohet autostrada Tiranë–Durrës, një nga korridoret më të rëndësishme të vendit. Ky segment i Korridorit VIII luan një rol kyç në lidhjen e portit me kryeqytetin dhe rrjetin ndërkombëtar rrugor.
Ky projekt, me vlerë prej gati 300 milionë eurosh, është pjesë e listës së projekteve prioritare dhe punimet pritet të përfundojnë deri në vitin 2026.
Gjithashtu, projekti në zhvillim “Zhvillimi i portit të ri të Durrësit në Porto Romano, zhvendosja e operacioneve nga terminali ekzistues dhe ndërtimi i Terminalit të ri të Kontejnerëve dhe linjës së re hekurudhore” synon të konsolidojë aktivitetin industrial dhe të krijojë një hapësirë të re logjistike që do të përmirësojë tregtinë në të gjithë rajonin.
Pika kyçe këtu është terminali multimodal, i cili do të lidhë transportin detar, hekurudhor dhe rrugor në një pikë të vetme.
Në tërësi, këto investime synojnë ta kthejnë portën detare të Shqipërisë në një nyje të integruar transporti multimodal, duke përmirësuar qarkullimin e mallrave, duke reduktuar ngarkesën në infrastrukturë dhe duke mbështetur ambicien e vendit për t’u pozicionuar si një aktor kyç në logjistikën rajonale dhe europiane.
Milja e fundit
Përmirësimi i lidhjeve të “miljes së fundit”, pra atyre segmenteve të fundit që lidhin portet me korridoret kryesore të transportit, është thelbësor për rritjen e efikasitetit në tregti dhe logjistikë. Në Shqipëri, po merren hapa konkretë për të adresuar këto boshllëqe, sidomos përreth portit më të madh të vendit – Portit të Durrësit. Në aspektin hekurudhor, është planifikuar një lidhje e re midis rrjetit hekurudhor dhe Portit të ardhshëm të Porto Romanos, që pritet të bëhet porti kryesor i mallrave në vitet në vijim. Ky projekt është përfshirë në Programin Kombëtar të Projekteve Prioritare (NSPP) dhe përgatitjet teknike janë tashmë në zhvillim. Pas ndërtimit, kjo linjë do të mundësojë një rrugë direkte dhe efikase për lëvizjen e mallrave nga deti drejt pjesës tjetër të Shqipërisë dhe më gjerë.
A ka projekte infrastrukturore në Shqipëri që janë përcaktuar si prioritare për financim në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të BE-së? Nëse po, si pritet që këto projekte të mbështesin integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrjetin TEN-T?
Po, sipas Axhendës së Reformës së Shqipërisë, ndër masat prioritare përfshihet përmirësimi i tregtisë ndërkufitare nëpërmjet zbatimit të sistemeve elektronike të mallrave (e-freight) dhe Sistemeve Inteligjente të Transportit, si dhe investime kritike në infrastrukturë, veçanërisht në transportin e qëndrueshëm siç janë linjat hekurudhore të Korridorit VIII dhe autostrada e Korridorit Blu.
Shqipëria ka krijuar gjithashtu një Program Kombëtar të Projekteve Prioritare (National Single Project Pipeline – NSPP), i cili përmbledh të gjitha nismat kryesore të investimeve publike në sektorë të ndryshëm, të renditura sipas shkallës së përgatitjes (maturitetit).
Ky program synon të shërbejë si një udhërrëfyes për identifikimin e investimeve prioritare që janë të gatshme për financim nga Fondi për Reforma dhe Rritje, që është një instrument i posaçëm për Shqipërinë në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Këto projekte janë veçanërisht të rëndësishme për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, sidomos në aspektin e integrimit të saj në rrjetin e transportit europian.
Realizimi i tyre do të përshpejtojë afrimin me standardet e BE-së, do të lehtësojë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve dhe do të rrisë konkurrueshmërinë rajonale të Shqipërisë.

Në çfarë mase po integrohen konsideratat mjedisore dhe sociale në planifikimin dhe zbatimin e projekteve të infrastrukturës së transportit në Shqipëri, në përputhje me standardet e BE-së?
Shqipëria po bën përparim në përfshirjen e standardeve mjedisore dhe sociale në projektet e saj të infrastrukturës së transportit, në përputhje me rregulloret e Bashkimit Europian.
Janë ndërmarrë hapa të dukshëm për të harmonizuar legjislacionin kombëtar me Direktivën e BE-së për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (EIA), edhe pse përafrimi i plotë mbetet ende në proces.
Një shembull i mirë i angazhimit të Shqipërisë është pjesëmarrja në nismat e mbështetura nga BE, që synojnë forcimin e mbrojtjes së mjedisit në sektorin e transportit.
Për shembull, një vizitë studimore e organizuar në Kopenhagë nga Komuniteti i Transportit shërbeu për të ilustruar se si Shqipëria po bashkëpunon me institucione kyçe të BE-së si Agjencia Europiane për Mjedisin (EEA) dhe JASPERS.
Këto përpjekje kanë në fokus ndërtimin e infrastrukturës rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e biodiversitetit dhe reduktimin e ndotjes akustike.
Megjithëse drejtimi është pozitiv, nevojitet ende punë për të përafruar plotësisht rregulloret kombëtare me standardet e BE-së. Kjo përfshin rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për të siguruar që qëndrueshmëria të përfshihet në çdo fazë të zhvillimit të projekteve – nga planifikimi te zbatimi.
Cili është progresi aktual i Shqipërisë në përafrimin dhe zbatimin e direktivave kyçe të BE-së për të drejtat e pasagjerëve dhe cilat janë sfidat ligjore apo institucionale që ende mbeten?
Shqipëria ka bërë përparim të prekshëm në adoptimin e rregullave të BE-së për mbrojtjen e të drejtave të pasagjerëve, veçanërisht në sektorët e udhëtimeve me tren, autobus dhe furgon.
Ajo ka përafruar plotësisht legjislacionin e saj me Rregulloren e BE-së nr. 1371/2007 për të drejtat e pasagjerëve në transportin hekurudhor, duke përfshirë përditësime që sigurojnë mbështetje për personat me aftësi të kufizuara dhe akses të qartë në informacione të besueshme për të gjithë udhëtarët.
Në sektorin e autobusëve dhe furgonëve, Shqipëria ka përfshirë pjesë të rëndësishme të Rregullores së BE-së nr. 181/2011, si rregullat për trajtim të drejtë, kompensim dhe aksesueshmëri. Megjithatë, nevojiten përmirësime të mëtejshme në fushat e informacionit në kohë reale, menaxhimit të ankesave dhe zbatimit të të drejtave në praktikë.
Një ngjarje me rëndësi ishte Forumi i 6-të Social, i fokusuar në forcimin e të drejtave të pasagjerëve në Ballkanin Perëndimor, i cili u mbajt në Tiranë më 10 prill 2025. Forumi bashkoi autoritetet rajonale, institucionet e BE-së, trupat kombëtare të zbatimit dhe partnerët socialë.
Ai konfirmoi përkushtimin e përbashkët të rajonit për përputhje me standardet e BE-së dhe nxori në pah nevojën për përmirësim në zbatueshmëri, aksesueshmëri dhe menaxhimin e ankesave.
Forumi gjithashtu theksoi nevojën për trupa më të forta kombëtare të zbatimit, ndërgjegjësim më të madh publik dhe integrimin e zgjidhjeve dixhitale, si informacioni në kohë reale dhe platformat online të ankesave.
Megjithatë, Shqipëria ende përballet me boshllëqe institucionale, sidomos në sektorin hekurudhor. Edhe pse ekziston një Autoritet Kombëtar i Sigurisë, trupat e tjera kyçe si Autoriteti Rregullator Hekurudhor dhe Trupi Kombëtar i Zbatimit ende nuk janë formalisht krijuar për të siguruar mbikëqyrje dhe përputhshmëri të plotë.
Duke marrë parasysh rritjen e ndjeshme të fluksit të turistëve, veçanërisht gjatë sezonit veror, si po siguron Shqipëria që shërbimet sezonale të transportit (si lidhjet me tragete, transferimet nga aeroporti apo shërbimet e shuttle-it) të jenë në përputhje me standardet e mbrojtjes së pasagjerëve të harmonizuara me BE-në?
Me rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë çdo vit, veçanërisht gjatë sezonit të verës, autoritetet shqiptare kanë intensifikuar përpjekjet për përmirësimin e shërbimeve sezonale të transportit si tragetet, transferimet nga aeroporti dhe shërbimet lokale të transportit të organizuar (shuttle).
Duke kuptuar rëndësinë e ofrimit të një shërbimi cilësor, jo vetëm për vizitorët por edhe për banorët vendas, Shqipëria po punon për të siguruar që këto shërbime të jenë në përputhje me standardet kryesore të mbrojtjes së pasagjerëve të Bashkimit Europian.
Kjo përfshin garantimin e trajtimit të barabartë për të gjithë udhëtarët, aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuara, si dhe ofrimin e informacionit të qartë dhe të saktë, sidomos në rastet e vonesave apo ndërprerjeve të shërbimit.
Këto masa janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për përafrimin me rregulloret e BE-së dhe për të siguruar një përvojë udhëtimi më të sigurt, më të besueshme dhe më të përshtatshme gjatë muajve të pikut turistik.
Cilat janë kostot mesatare aktuale për kilometër për zbatimin e projekteve të infrastrukturës TEN-T në Shqipëri dhe si krahasohen ato me kostot në vendet e tjera të rajonit?
Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit nuk kryen krahasime të kostove për kilometër midis projekteve të infrastrukturës në vendet e rajonit, pasi këto kosto varen nga një sërë faktorësh specifikë për çdo kontekst. Këtu përfshihen terreni, standardet e projektimit, kërkesat mjedisore dhe kushtet e tregut lokal.
Roli i Komunitetit të Transportit përqendrohet në mbështetjen e bashkëpunimit rajonal, përafrimin e politikave dhe monitorimin e përparimit në përputhje me standardet e BE-së, më shumë sesa në vlerësimin apo krahasimin e drejtpërdrejtë të kostove të projekteve.
Gjithsesi, mbetet një angazhim i fortë për të nxitur transparencën dhe efikasitetin në investimet në transport, duke pasur parasysh se çdo projekt paraqet sfida dhe karakteristika unike teknike, ekonomike dhe gjeografike.
A janë të mjaftueshme instrumentet aktuale financiare – si buxheti kombëtar, IPA III apo Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) – për të përmbushur nevojat për financim të projekteve kryesore të Shqipërisë?
Shqipëria përfiton aktualisht nga një gamë instrumentesh financiare, siç janë fondet e IPA III të BE-së dhe mbështetja përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Për më tepër, ekzistojnë instrumente të tjera të krijuara për të ndihmuar vendin në modernizimin e infrastrukturës së tij, si Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Nuk duhet anashkaluar as roli i sektorit privat, i cili është gjithnjë e më i rëndësishëm, sidomos nëpërmjet Partneriteteve Publike-Private, siç shihet në rastin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Megjithatë, edhe pse këto mekanizma janë të vlefshëm dhe nxisin përparim, nuk janë të mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha nevojat e Shqipërisë në sektorin e transportit. Hendeku infrastrukturor që ekziston në rajon, përfshirë Shqipërinë, kërkon investime më të mëdha për t’u mbushur.
Duke qenë se një pjesë e këtyre burimeve financiare janë të kombinuara me kredi, është e domosdoshme që Shqipëria të vazhdojë të përzgjedhë dhe t’u japë përparësi me kujdes projekteve më me ndikim.
Planifikimi strategjik dhe përcaktimi i qartë i prioriteteve do të sigurojë që fondet e disponueshme të përdoren për projekte që ofrojnë përfitimet më të mëdha në lidhje, siguri dhe përputhje me standardet e BE-së.
Cilat janë afatet e parashikuara për përfundimin e rrjeteve thelbësore dhe gjithëpërfshirëse TEN-T në Shqipëri, dhe a është vendi në rrugën e duhur për të përmbushur këto objektiva?
Sipas Rregullores së re të BE-së, Shqipëria – si dhe partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor – po punon për përfundimin e rrjeteve TEN-T në tri faza:
– Rrjeti Thelbësor deri në vitin 2030 (p.sh. përfundimi i Unazës së Tiranës)
– Rrjeti i Zgjeruar Thelbësor deri në vitin 2040 (si përfundimi i hekurudhës së Korridorit VIII nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut)
– Rrjeti Gjithëpërfshirës deri në vitin 2050.
Këto objektiva janë ambicioze, si për BE-në, ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Vlerësimet aktuale tregojnë se shumica e projekteve kyçe hekurudhore dhe rrugore të Shqipërisë janë në rrugë të mbarë. Përparimi i mëtejshëm do të varet nga planifikimi efektiv, investimet strategjike dhe bashkëpunimi i ngushtë me partnerët rajonalë dhe institucionet e Bashkimit Europian.
Intervistoi: Armela Toska
The post Rrugët e Shqipërisë drejt Europës appeared first on Revista Monitor.









