Nga Mohamed A. El-Erian*
Për shumë vende në zhvillim, peizazhi ekonomik global ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit. Rritja më e ulët, zinxhirët e furnizimit të ndërprerë, reduktimi i ndihmave dhe rritja e paqëndrueshmërisë në tregjet financiare përbëjnë pengesa të mëdha. Në themel të këtyre ndryshimeve qëndron një ristrukturim themelor, i udhëhequr nga bota e zhvilluar, i rendit ekonomik dhe financiar të pasluftës. Në këtë kontekst, një sërë faktorësh po bëhen kritikë për mirëqenien aktuale dhe të ardhshme të vendeve në zhvillim, dhe për të mirën e institucioneve shumëpalëshe.
Për pjesën më të madhe të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, rendi ekonomik dhe financiar global funksiononte si një konstrukt bërthamë-periferi, me Shtetet e Bashkuara në qendër. SHBA-ja ofronte të mira publike globale, udhëhiqte bashkërendimin e politikave shumëpalëshe dhe vepronte si menaxher krizash, në përputhje me një grup rregullash dhe standardesh të pranuara gjerësisht. Qëllimi përfundimtar ishte konvergjenca, për të garantuar një ekonomi botërore gjithnjë e më të integruar dhe të begatë.
Por tre faktorë ndikuan këtë rend. Së pari, iu kushtua vëmendje e pamjaftueshme pasojave shpërndarëse gjithnjë e më destabilizuese, gjë që çoi në një ndjenjë të përhapur përjashtimi dhe marxhinalizimi brenda segmenteve me influencë politike të shoqërisë. Në vend që të vazhdonte të ndikonte politikën, ekonomia iu nënshtrua asaj.
Së dyti, rendi ekzistues pati vështirësi të integronte vendet e mëdha në zhvillim që po zgjeroheshin me shpejtësi. Shembulli më i dukshëm është Kina, ekonomia e madhe e së cilës, por me të ardhura për frymë relativisht të ulëta, krijoi një mospërputhje të vazhdueshme mes prioriteteve të saj të brendshme zhvillimore dhe përgjegjësive të reja globale. Bota nuk ishte më në gjendje të përthithte në mënyrë të qetë pasojat e jashtme të strategjisë ekonomike të Kinës, duke krijuar tensione që strukturat e qeverisjes ndërkombëtare kanë pasur vështirësi t’i zgjidhin.
Faktori i tretë ishte transformimi i SHBA-së nga një forcë stabilizuese në një burim paqëndrueshmërie. Në këtë zhvillim kontribuuan kriza financiare globale e vitit 2008 (që nisi në SHBA), përdorimi i tarifave si armë ndaj Kinës në vitin 2018 dhe përdorimi në rritje i sanksioneve përmes sistemeve të pagesave. Kjo përshpejtohet edhe më shumë në vitet e fundit me dështimin për të siguruar një shpërndarje të drejtë globale të vaksinave kundër COVID-19, përdorimin e tarifave si armë ndaj aleatëve dhe kundërshtarëve, shkatërrimin e sistemit amerikan të ndihmës së jashtme dhe indiferencën e vazhdueshme ndaj krizave humanitare shkatërruese dhe shkeljeve të përsëritura të së drejtës ndërkombëtare.
Ndërsa modeli tradicional bërthamë–periferi është i papërshtatshëm për të përballuar gjithë këtë, nuk ekziston asgjë për ta zëvendësuar atë, duke rezultuar në një udhëtim të trazuar drejt një destinacioni të paqartë. Megjithatë, vendet në zhvillim e kanë përballuar mjaft mirë këtë peizazh në ndryshim. Suksesi i tyre i deritanishëm u detyrohet kryesisht arritjeve të fituara me shumë mund në politikë, përfshirë forcimin e rregullave dhe institucioneve makroekonomike gjatë dekadave të fundit.
Por për të ruajtur këtë trajektore pozitive në një mjedis të jashtëm gjithnjë e më sfidues, vendet në zhvillim duhet të mbështesin katër prioritete kryesore të politikave. I pari është ruajtja e stabilitetit makroekonomik, duke adresuar në mënyrë agresive çdo cenueshmëri strukturore dhe financiare, përfshirë tregjet financiare të brendshme, kornizat rregullatore të dobëta dhe mangësitë në qeverisje.
Prioriteti i dytë është forcimi i lidhjeve ndërkombëtare që rrisin qëndrueshmërinë, përmirësojnë aftësitë përshtatëse dhe zgjerojnë mundësitë. Kjo kërkon përpjekje të bashkërenduara, shumëvjeçare, për të harmonizuar rregulloret, për të nxitur integrimin financiar rajonal dhe për të ndërtuar infrastrukturë tregtare.
Së treti, vendet në zhvillim duhet të përgatiten për të shfrytëzuar mundësitë e reja që krijohen nga inovacionet, nga përmirësimi i produktivitetit në sektorët tradicionalë, deri te përmirësimet në sektorët socialë, ku investimi në kapitalin njerëzor sjell kthimet më të larta. Inteligjenca artificiale, në veçanti, ka potencial të jashtëzakonshëm për të revolucionarizuar mjekësinë, arsimin dhe bujqësinë, dhe kjo mund të ndihmojë këto vende të kapërcejnë disa faza tradicionale të zhvillimit. Ndërtimi i një ekosistemi mbështetës kërkon investime në infrastrukturën dixhitale, zhvillimin e një fuqie punëtore të kualifikuar dhe një mjedis rregullator që nxit inovacionin.
Së fundmi, me shumë asete amerikane që duken të mbivlerësuara dhe me rritjen e paqëndrueshmërisë së bonove të thesarit të SHBA-së, një nëngrup i vogël por strategjikisht i rëndësishëm i vendeve në zhvillim, ato me rezerva të larta valutore dhe pasuri financiare të konsiderueshme në dollarë, po nxitojnë të rishqyrtojnë rezervat e tepërta të aktiveve amerikane. Ky proces do të jetë i gjatë dhe kompleks, dhe do të kërkojë një ndarje më të kujdesshme të aktiveve, metodologji të reja për shpërndarjen e aseteve dhe një mënyrë të re të të menduarit për investimet që shkon përtej strehëve tradicionale të sigurta.
Institucionet shumëpalëshe si Banka Botërore dhe bankat rajonale të zhvillimit kanë një rol thelbësor për të luajtur në ndihmën ndaj anëtarëve të tyre për të ndjekur këtë qasje. Për t’u bërë këshilltarë të besuar, këto institucione duhet të përmirësohen në mbledhjen dhe shpërndarjen e praktikave më të mira për teknologjitë e reja dhe në zhvillim që mund të përmirësojnë shëndetin, arsimin dhe produktivitetin, dhe të bëjnë më shumë për të nxitur përvetësimin e tyre. Për shembull, stafi i tyre duhet të jetë i përgatitur të përgjigjet ndaj pyetjeve për ndërveprimin me agjentët e inteligjencës artificiale, përdorimin e inovacioneve për ofrimin e shërbimeve bazë dhe menaxhimin e rreziqeve të lidhura me to.
Institucionet shumëpalëshe gjithashtu duhet të inkurajojnë lidhjet dhe projektet rajonale që lehtësojnë tregtinë, zgjerojnë infrastrukturën ndërkufitare dhe nxisin menaxhimin e përbashkët të burimeve. Dhe në një botë gjithnjë e më e ndikuar nga goditje të shpeshta, është urgjente forcimi i instrumenteve për financimin në raste emergjente, për shembull duke përmirësuar mjetet për ndarjen e rrezikut.
Sigurisht, kjo nuk duhet të dëmtojë punën thelbësore që këto institucione kryejnë në vendet në zhvillim. Duke pasur parasysh dëshmitë se modelet tradicionale të zhvillimit hasin vështirësi të mëdha në vende me sfida serioze të qeverisjes dhe sigurisë, edhe kjo është një fushë që kërkon mënyra të reja dhe më krijuese të të menduarit.
Inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e tjera të reja u ofrojnë vendeve në zhvillim një mundësi të rrallë për të hapur rrugë të reja drejt rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse. Por përfitimi nga kjo mundësi historike nuk është aspak i sigurt. Nëse vendet në zhvillim nuk krijojnë kushtet e nevojshme për përhapjen efikase dhe të drejtë të këtyre inovacioneve në ekonomitë e tyre, duke filluar, në mënyrë thelbësore, nga sektori i shëndetësisë dhe arsimit, ato rrezikojnë të mbeten edhe më shumë prapa, duke thelluar pabarazitë brenda dhe mes vendeve, dhe duke përshpejtuar fragmentimin e rendit global.
* Mohamed A. El-Erian është President i “Queens’ College” në Universitetin e Kembrixhit, profesor në Wharton School në Universitetin e Pensilvanisë, këshilltar i Allianz dhe Kryetar i Gramercy Fund Management. Ai është autor i The Only Game in Town: Central Banks, Instability, and Avoiding the Next Collapse (Random House, 2016) dhe bashkautor (me Gordon Brown, Michael Spence dhe Reid Lidow) i Permacrisis: A Plan to Fix a Fractured World (Simon & Schuster, 2023).
Copyright: Project Syndicate, 2025
www.project-syndicate.org
The post Rikonceptimi i zhvillimit në një epokë pasigurie globale appeared first on Revista Monitor.








