BQE: Vendet e punës do të rrezikohen nëse Kina devijon tregtinë drejt BE-së nga SHBA

0

Qindra mijëra vende pune në Europë mund të jenë në rrezik nëse lufta tregtare e Donald Trump e nxit Kinën të dërgojë mallrat e saj drejt kontinentit të vjetër, sipas një kërkimi nga Banka Qendrore Europiane (BQE).

Konkurrenca në rritje nga Kina ka pasoja të drejtpërdrejta për tregjet e punës në Eurozonë, shkruajnë ekonomistët, përfshirë Clémence Berson.

Një rritje prej 1,000 € në importe nga Kina për çdo punonjës në një sektor të caktuar, mes viteve 2015 dhe 2022, çon në një rënie me 0.1 pikë përqindje të nivelit të punësimit në atë industri gjatë së njëjtës periudhë, zbuluan ata. Kjo përfaqëson rreth 240,000 vende pune në të gjithë Eurozonën, që janë zhdukur ose janë zhvendosur në sektorë më pak të ekspozuar.

“Zhvendosja e tregtisë nga Shtetet e Bashkuara, e kombinuar me rritjen e konkurrueshmërisë së Kinës në industri me vlerë të shtuar të lartë, sugjeron se firmat në BE duhet të përshtaten me një mjedis global gjithnjë e më konkurrues,” shkruajnë Berson dhe kolegët. “Ndërsa për momentin ndikimi është i përqendruar në sektorë si automjetet dhe kimikatet, pasojat më të gjera mund të shtrihen në gati një të tretën e vendeve të punës në BE.”

Ky paralajmërim i BQE vjen në një kohë kur tensionet tregtare globale janë rritur ndjeshëm pas rikthimit të politikave proteksioniste nga administrata e re e Donald Trump. Që prej marrjes së detyrës në fillim të vitit 2025, presidenti amerikan ka nisur të vendosë tarifa të reja ndaj importeve kineze, duke ringjallur një klimë konflikti ekonomik me Pekinin. Si kundërpërgjigje, Kina mund dhe ka devijuar flukset e saj tregtare drejt Europës, në përpjekje për të ruajtur volumin e eksporteve dhe për të shmangur barrierat amerikane. Kjo zhvendosje rrezikon të vërë nën presion prodhuesit europianë, sidomos ata në sektorë të ndjeshëm si makineritë, automjetet dhe produktet kimike.

Veçanërisht të ekspozuar janë sektorët ku Kina po fiton terren me shpejtësi, si teknologjia, automjetet elektrike dhe prodhimi industrial me vlerë të lartë të shtuar. Nëse kompanitë europiane humbasin pjesë të tregut në këto fusha strategjike, pasojat do të jenë afatgjata, jo vetëm në punësim, por edhe në vetë aftësinë e Europës për të konkurruar në tregun global.

BQE sugjeron se përballë këtij presioni, Bashkimi Europian duhet të forcojë politikat industriale, të mbështesë sektorët më të rrezikuar përmes inovacionit, dixhitalizimit dhe trajnimit të fuqisë punëtore, si dhe të forcojë zinxhirët e brendshëm të furnizimit për të rritur qëndrueshmërinë ekonomike. / Bloomerg

The post BQE: Vendet e punës do të rrezikohen nëse Kina devijon tregtinë drejt BE-së nga SHBA appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

16 + twelve =