Partia Socialiste ka siguruar 8 mandate në qarkun e Vlorës.
Numërimi i votave në këtë qark ka mbaruar dhe socialistët kanë fituar me diferencë të thellë në raport me demokratët që marrin vetëm 4 mandate.
Në këtë qark PS ka siguruar 54,598 vota, PD 24,448 vota, Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 5,177 dhe partia Mundësia që ka marrë 4,691 vota në total.
Edhe pse socialistët kanë triumfuar në të gjitha bashkitë e këtij qarku, përsëri PS nuk është e kënaqur. Ata shpresojnë të marrin një mandat të nëntë nga votat që ende nuk janë numëruar të diasporës.
“Ne shpresojmë edhe mandatin e nëntë dhe mendojmë të përkthehet në mandat të nëntë në Vlorë. Presim që KQZ të numërojë edhe 14400 votat e diasporës”, ka deklaruar kryetari i Bashkisë Vlorë Ermal Dredha.
QARKU BERAT
Në qarkun e Beratit ku janë 275 qendra votimi janë numëruar 66,293 vota nga të cilat 2,727 ishin të pavlefshme. Edhe në këtë qark PS-ja ka dalë fituese me 38,750 vota, ndjekur nga PD me 19,762 dhe Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 4,677 vota. Në këtë qark fitoren më të madhe socialistët e kanë regjistruar në Poliçan dhe në Skrapar me 67% dhe 66% të totalit të votave të marra. Në këtë qark socialistët marrin 5 mandate dhe demokratët 2 mandate.
QARKU GJIROKASTËR
Në qarkun e Gjirokastrës ku janë 198 qendra votimi janë numëruar 40,780 vota nga të cilat 1,480 ishin të pavlefshme. Në këtë qark PS-ja ka dalë fituese me 24,737 vota, ndjekur nga PD me 11,716 dhe Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 1286 vota. Me këtë rezultat PS mban njëjtë si edhe në 2021, 3 mandate deputeti, ndërsa PD merr 1 mandat.









