Një tjetër çift është bekuar me fëmijë përmes procedurës In-Vitro që tanimë ofrohet edhe në shtet. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se fëmija ka ardhur në jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë. Nëna e tij Lumturia, kishte provuar më herët dy procedura in vitro në spitalet private në kryeqytet, por pa sukses.
“Mirë se erdhe në jetë, bebi Bekim. Sot një zemër e vogël nisi të rrahë mes duarve të dy prindërve të mbushur me dashuri: Lumturia dhe Bledari. Ky është fëmija i dytë që vjen në jetë përmes procedurës in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni”, pas lindjes së vogëlushes Soreja në dhjetor. Dy histori të ndryshme, dy familje të ndryshme, por e njëjta ndjenjë që na bashkon të gjithëve: gëzimi i jetës që lind nga shpresa”, shkruan ministrja e shëndetësisë Albana Koçiu.
Fertilizimi in Vitro mbulohet financiarisht nga shteti edhe gjatë vitit 2025, duke u ardhur në ndihmë 150 çifteve në të dyja maternitetet “Koço Gliozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë” që përballen me vështirësi për të sjellë në jetë një fëmijë. Kostoja e kësaj procedure që mbulohet nga buxheti i shtetit është përllogaritur në afro 3270 euro sipas një raporti të Together For Life.









