“Nga sfida e informalitetit, te rritja e shpejtë dhe konkurrenca ndërkombëtare”

0

Flet Valer Pinderi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Tregtisë Elektronike

 

Në dy vitet e fundit, tregtia elektronike në Shqipëri ka kaluar një fazë transformimi që po ndryshon thelbësisht mënyrën e blerjes online në vend.

Pas një periudhe ku platforma të ndryshme e-commerce funksiononin kryesisht në mënyrë të parregullt dhe të fragmentuar, vitet e fundit kanë sjellë hyrjen e lojtarëve seriozë dhe profesionalë, të cilët po i japin tregut një fytyrë të re dhe shumë më funksionale.

Në këtë intervistë, Valer Pinderi, kryetar i Shoqatës së Tregtisë Elektronike në Shqipëri, flet mbi rritjen e ndjeshme të tregut, sfidat që bizneset shqiptare përballen në këtë sektor, si dhe ndikimin e platformave ndërkombëtare dhe potencialin e zhvillimit për vitet e ardhshme.

Nga problematika e informalitetit te nevojat për dixhitalizim të thellë dhe automatizim, deri te pritshmëritë për një ekonomi më dixhitale dhe konkurruese, z. Pinderi na jep një panoramë të qartë të situatës aktuale dhe së ardhmes së tregtisë elektronike në Shqipëri.

 

Si e vlerësoni zhvillimin e tregtisë elektronike në Shqipëri në dy vitet e fundit? A ka pasur rritje të ndjeshme në numrin e platformave dhe porosive online?

Pas shumë vitesh që flasim për tregti online e-commerce, këtë vit ndodhi diçka që hyri në lojë shumë agresivisht. Për herë të parë, e gjithë industria pa se çfarë do të thotë një e-commerce i mirëfilltë. Kjo bëri që edhe Wolt të futej në treg vitin e kaluar.

Për herë të parë, industria u përball me realitetin e e-commerce.

Sepse në Shqipëri nuk kishim pasur më parë një përballje të tillë. Kemi pasur disa biznese lokale që merreshin me një lloj e-commerce, por që ishte përshtatur me kushtet e vështira të tregut shqiptar.

Fuqia kryesore e e-commerce është ekonomia e shkallës. Aty ndodh blerja për konsumatorin, aty ulen çmimet, aty maksimizohen fitimet, çdo gjë ndodh aty.

Cilat janë prirjet më të dallueshme që po shfaqen aktualisht në tregun shqiptar të e-commerce?

Tani Shqipëria ka hyrë në një fazë ku kuptohet qartë çfarë është e-commerce i mirëfilltë. Faqet e Instagram-it që më parë shiteshin si dyqane online, tani po mbyllen masivisht.

Shumë persona më shkruajnë çdo muaj duke më treguar se sa e vështirë është situata për ta.

Dhe kjo është një gjë e mirë, sepse konsumatori nuk do të krijojë më një perceptim të gabuar për e-commerce.

Nuk mund të krahasosh një faqe Instagram me një platformë të mirëfilltë. Ato nuk ofrojnë shërbim të mirë ndaj klientit, nuk janë të sakta me dërgesat apo përshkrimet e produkteve dhe nuk kanë sistem të rregullt pune.

Ndërkohë, janë zhvilluar edhe e-commerce në fusha të tjera, si për shembull në sektorin farmaceutik. Ka shumë farmaci që kanë nisur shitje online.

Po ashtu, faqe të mëdha si Megatek dhe Neptun kanë një prani të qëndrueshme dhe vazhdojnë të rriten me ritme të mira.

Tani këto platforma të mëdha po e marrin pjesën kryesore të tregut, ndryshe nga faqet në Instagram që mbizotëronin më parë.

Megjithatë, pagesat “cash” ende janë të pranishme në mënyrë dominuese, edhe pse hyrja e Temu ka ndihmuar në uljen e këtij fenomeni.

Procesi i blerjes nuk është aq i thjeshtë sa duhet të jetë. Në një e-commerce të vërtetë, gjithçka ndodh automatikisht: transaksioni, porosia, përpunimi. Por në Shqipëri ende ka nevojë për shumë ndërhyrje njerëzore që ta menaxhojnë këtë proces, gjë që nuk ka shumë kuptim dhe duhet të ndryshojë.

Në Amazon, nëse shet 1,000 produkte, ndoshta merr vetëm 15 mesazhe nga klientët. Këtu në Shqipëri, për të njëjtën sasi, merr 1,000 deri në 2,000 mesazhe, një për çdo produkt. Është një lodhje e madhe.

Kjo nuk ndodh vetëm në shitjet nëpërmjet Instagram-it, por edhe në faqet e internetit. Ka shumë telefonata, shumë diskutime, klientët dërgojnë “screenshot”, kërkojnë sqarime për çdo gjë dhe kjo i lodh shumë bizneset.

 

A keni statistika ose të dhëna konkrete që tregojnë përmasën aktuale të tregtisë elektronike në Shqipëri, si p.sh. numri i porosive mujore, përqindja e rritjes vjetore?

Dy vite më parë kishim rreth 25,000 pako në ditë. Sot, falë Temu-së dhe rritjes së përgjithshme, volumi ka arritur në rreth 50,000 pako në ditë. Kjo është një rritje e dukshme.

Temu ka arritur në 15,000 pako në ditë.

Kjo përbën rreth një të tretën e tregut që ekziston aktualisht. Do të thotë që vetëm për dy muaj, një kompani po realizon pothuajse gjysmën e volumit që më parë kryhej nga gjithë tregu.

Ky ndryshim është i dukshëm: në postë, në mënyrën se si shpërndahen pakot, si bëhen blerjet, si priten porositë, dhe si ofrohet shërbimi ndaj klientit, gjithçka ka ndryshuar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, transaksionet në e-commerce janë rritur me 30% çdo vit, gjatë pesë viteve të fundit. Edhe këto tregojnë qartë se e-commerce po rritet me shpejtësi.

 

Cilat janë barrierat kryesore me të cilat përballen bizneset shqiptare që duan të operojnë online – nga infrastruktura teknologjike te logjistika dhe pagesat?

Pengesat më të mëdha janë: mungesa e dixhitalizimit dhe kaosi në procese. Sepse në thelb, e-commerce është logjistikë dhe automatizim. Pa to, nuk funksionon.

Nuk mund të ndërtosh një e-commerce të mirëfilltë pa një sistem të saktë financiar, pa një sistem magazinimi (stok) dhe pa përputhje midis stokut që tregon sistemi dhe atij që ke realisht fizikisht. Nëse nuk e ke këtë, nuk mund të lidhesh dot me shitjet online.

Nuk mund t’i përditësosh manualisht produktet apo informacionet online. Gjithçka duhet të ndodhë automatikisht, kjo është thelbësore. Vërtet. Besimi i konsumatorit është shumë i rëndësishëm, por nuk është pika nga duhet nisur.

Është mënyra se si organizon dhe menaxhon biznesin që gjeneron besimin te konsumatori.

Nuk ka asnjë problem me konsumatorin shqiptar. Ai di të përdorë Temu, Amazon, të ketë abonim në Netflix, të blejë bileta avioni online, të aplikojë për kartë identiteti në e-Albania.

Konsumatori është i aftë. Problemi qëndron te bizneset shqiptare, të cilat nuk u ofrojnë konsumatorëve atë siguri dhe besueshmëri që duhet të kenë për të blerë online.

Kur mungon kjo besueshmëri, krijohet një mentalitet i gabuar kolektiv për e-commerce.

Por unë besoj se ky mentalitet mund të ndryshojë, dhe ndryshon, sapo dikush ofron një shërbim të mirë dhe dallohet nga të tjerët. Shembulli më i mirë është Temu. Ata dërgojnë mijëra pako.

Sigurisht ka ende njerëz që thonë “s’kam besim”, por edhe ata po ndryshojnë qëndrim dalëngadalë. Ka ende njerëz që kanë frikë të porosisin online, edhe sot, por kjo është normale dhe ndodh në çdo vend.

Temu ka ndihmuar shumë për të ngritur një infrastrukturë logjistike në vend. Mund të marrim Bullgarinë si rast krahasimi, një shtet me rreth 7 milionë banorë, jo shumë ndryshe nga Shqipëria.

Në Bullgari, gjithë procesi i shpërndarjes është i automatizuar.

Askush nuk merret me dorë me ndarjen e pakove. Ka pajisje speciale që i zgjedhin vetë, të quajtura sorter dhe këto kushtojnë 150 mijë deri në 250 mijë euro.

Këto makina lejojnë që të përpunohen me efikasitet qindra mijë, edhe deri në 1 milion pako në ditë.

Ndërsa në Shqipëri, sistemet postare nuk kalojnë më shumë se 5 deri në 10 pako në orë për një punonjës.

Pra, është e gjitha e bazuar te puna fizike dhe kjo sjell kaos. Sa më shumë njerëz të përfshihen në procesin e shpërndarjes, aq më shumë rritet rrëmuja, gabimet dhe ngadalësia. Kjo e bën të pamundur shkallëzimin dhe rritjen e një biznesi të e-commerce-it.

 

Si ka qenë informaliteti vitet e fundit?

Informaliteti ka qenë një nga arsyet kryesore që ka mbajtur peng zhvillimin e bizneseve shqiptare. Shumë prej tyre mendojnë se fitojnë më shumë duke qëndruar jashtë sistemit ligjor, por në realitet humbin shumë më tepër.

Nëse një biznes mendon se po fiton 1,000 euro më shumë sepse nuk paguan taksa, në fakt po humbet një jetë të tërë në rritje dhe progres.

Për më tepër, mbetet i varur gjithmonë nga marrëdhënie të dyshimta me Tatimet, dhe kjo i mban nën trysni të përhershme.

Edhe vetë inspektorët e Tatimeve e dinë që biznesi është informal. Edhe nëse ndonjëherë e “blejnë” këtë situatë, kjo nuk është aspak gjë e mirë – sepse do të thotë që ti je vazhdimisht nën varësinë e dikujt tjetër, jo i lirë të ndërtosh realisht.

Në këtë formë, nuk je më një sipërmarrës i vërtetë. Nuk ke një biznes të qëndrueshëm, as nuk ke një pasuri reale që mund të rritet.

Nëse e vetmja mënyrë që të ecësh përpara është të hysh në politikë, atëherë nuk je në rrugën e duhur për të ndërtuar një biznes të suksesshëm. Qeveria duhet të ndërhyjë për të ndryshuar këtë situatë.

Mungesa e rritjes në shumë biznese është një pasojë e drejtpërdrejtë e informalitetit.

Ky është një realitet që duhet trajtuar me seriozitet. Nuk besoj që të gjithë ata që veprojnë në informalitet janë kriminelë. Shumica janë njerëz të zakonshëm që përpiqen të mbijetojnë në një sistem të vështirë.

Por duhet bërë një ndarje e qartë mes atyre që e bëjnë nga halli, dhe atyre që nuk duan të rriten sepse janë rehat në informalitet.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja për pesë vitet e ardhshme për tregun shqiptar të e-commerce? A ka potencial për t’u bërë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë?

Fatkeqësisht, bizneset shqiptare janë ende shumë të ngadalta në adaptimin me ndryshimet globale. Dhe kjo është një kambanë alarmi.

Me mënyrën si po e trajtojnë globalizimin, duke mbyllur sytë dhe duke fajësuar të tjerët, nëse nesër Shqipëria do të bëhej pjesë e Bashkimit Europian, 80% e bizneseve shqiptare do të falimentonin.

Kjo është e pashmangshme. Sepse suksesi në biznes nuk vjen nga fati apo nga kushte të favorshme. Vjen nga avantazhi konkurrues.

Nëse nuk mendon se çfarë avantazhi ke ti në treg, por vetëm shpreson që do të funksionojë vetë, do të dështosh me siguri.

Imagjino që në Shqipëri hyjnë biznese europiane që kanë ndërtuar infrastrukturë, procese të sakta dhe përgatitje për 15 vite me radhë. Ato do ta shkatërrojnë tregun vendas brenda ditësh. Janë shumë më të avancuar në çdo aspekt.

A ka ndonjë distributor shqiptar që e menaxhon stokun si duhet dhe që mund të konkurrojë me një distributor europian? Nuk ka asnjë shans. Ata janë më të mirë në çmime, në shpejtësi, në saktësi.

A ka ndonjë biznes shqiptar që mund të konkurrojë me një kompani të huaj që ka një sistem shitjeje të organizuar dhe ku shitësi e mbyll një marrëveshje për disa sekonda? Jo, sepse këtu shumë biznese nuk kanë as vetëdijen çfarë është “self-flow”.

 

Si po përshtaten bizneset shqiptare ndaj rritjes së konkurrencës nga platformat ndërkombëtare si Amazon, AliExpress apo Shein? A është kjo një sfidë apo një mundësi për rritje?

Këto kushte që kemi sot në Shqipëri, së bashku me hyrjen e e-commerce të mëdhenj në treg, kanë bërë që disa biznese të vetëdijësohen.

Por për fat të keq, janë më pak se 10% e tyre. Këto pak biznese po kuptojnë se duhet të investojnë më shumë në marketing, në përmirësimin e proceseve, në stafin e tyre.

Po fillojnë të rrisin pagat, po përpiqen të krijojnë një avantazh konkurrues të vërtetë, ashtu siç duhet të bëjnë të gjithë.

Nga ana tjetër, është përpjekja për të bashkëpunuar me institucionet shtetërore për të rregulluar tregun dhe për të ndërtuar një kornizë ligjore më të mirë. Po punohet për të strukturuar e-commerce në mënyrë që të jetë i qëndrueshëm.

Ne jemi pjesë e një diskutimi me institucionet që lidhen me e-commerce. Përfshihen kapituj të veçantë në marrëveshjen për Bashkimin Europian, konkretisht kapitulli 6 dhe kapitulli 4. Pra, janë hapa që po ndërmerren.

 

A ka bashkëpunim me institucionet shtetërore për hartimin e një kuadri më të qartë ligjor apo për mbështetje fiskale ndaj e-commerce?

Kemi krijuar një marrëdhënie të mirëbesimit me institucionet. Tani mund të flasim hapur. Edhe kur ata gabojnë, ne mund t’ua themi, dhe ata janë të gatshëm të dëgjojnë. Kjo është shumë pozitive.

Kemi ndërtuar një plan veprimi me shtetin për e-commerce dhe jemi duke u munduar ta ndjekim. Po përpiqemi që të përmirësojmë sa më shumë bazat ligjore dhe teknike të këtij sektori. Plani i veprimit ka ecur ngadalë.

Po përpiqemi ta përditësojmë, sepse ndryshimet ndodhin shpejt dhe ai plan rrezikon të bëhet i vjetruar. Fatmirësisht kemi një kanal komunikimi të hapur me shtetin, dhe kjo na lejon të përshtatemi kur është e nevojshme.

Ka dy aspekte që po ecin në drejtimin e duhur:

Së pari, është plani i veprimit, tani të gjitha institucionet janë të përfshira dhe mund të flasin hapur. Më shumë prej tyre po bashkëpunojmë konkretisht, jo vetëm me biseda.

Së dyti, nga aspekti ligjor, po përpiqemi të mbulojmë gjithçka që ka lidhje me e-commerce dhe të përfshihemi në mënyrë rajonale. Jemi pjesë e një aleance të quajtur Balkan E-Commerce Alliance, që e kemi themeluar bashkë me pesë shtete të tjera të Ballkanit, dhe së fundmi është bashkuar edhe Mali i Zi.

Jemi duke bashkëpunuar gjithashtu me Tirana Tech Park për të menduar një ligj që do të ftojë kompani të huaja të e-commerce që të hapin zyrat e tyre në Shqipëri.

Po mendojmë të ofrojmë lehtësi tatimore, ndoshta edhe “zero taksa” për disa vite, në mënyrë që shteti të përfitojë nga aktiviteti ekonomik, por edhe që bizneset lokale të mos ndihen të kërcënuara.

Jemi në fazën e analizës dhe më pas do të bëjmë një propozim konkret. Nëse marrim një “dritë jeshile”, kjo mund të ketë ndikim të jashtëzakonshëm për ekonominë shqiptare.

Ana negative është që shteti është ende shumë burokratik dhe i ngadalshëm.

Ka raste kur mungon koordinimi midis institucioneve dhe performanca brenda vetë administratës është e ulët.

Kjo është një karakteristikë e përgjithshme e qeverive, por në rastin tonë është më e theksuar. Dhe kjo sjell pasoja: për shembull, në planin e veprimit që përmendëm më parë, ne duhej ta kishim zbatuar dhe tani duhej të ishim duke parë rezultatet. Por në realitet, jemi ende duke diskutuar si do të zbatohet.

Për më tepër, institucionet nuk funksionojnë në bazë të rezultateve. Ato nuk janë të fokusuara në performancën reale apo ndikimin ekonomik, por në ndarjen e kompetencave.

Çdo institucion përpiqet të mbrojë “territorin” e vet, në vend që të bashkëpunojë për një qëllim të përbashkët.

Kjo nuk ka kuptim, sepse në fund të fundit, tregtia elektronike është një e vetme. Është një proces i bashkuar, nga porosia, te pagesa, te dërgesa dhe shërbimi ndaj klientit.

Por për të realizuar këtë proces në Shqipëri, duhet të komunikosh me 15 institucione të ndryshme dhe shumë prej tyre nuk e kuptojnë njëri-tjetrin sepse janë në dikastere të ndryshme ose nuk kanë marrëdhënie reale pune me njëri-tjetrin.

Në vend që të kemi një sistem të ndërlidhur dhe të thjeshtë, ne kemi një proces të fragmentuar, ku çdo hallkë funksionon më vete. Bizneset humbasin shumë kohë dhe energji duke bërë pingpong mes institucioneve, pa arritur zgjidhje të qarta.

Kjo gjë demotivon sipërmarrësit, pengon inovacionin dhe ul besimin në shtet. Në vend që të fokusohemi te performanca dhe rezultati, ne ngatërrohemi në kompetenca dhe burokraci.

Në thelb, është një sistem që nuk është ndërtuar për të ndihmuar zhvillimin ekonomik, por për të ruajtur vetveten.

Për një treg si ai i e-commerce, ku çdo sekondë ka rëndësi, kjo është shumë e dëmshme. Në vend që të hapim rrugën për tregti moderne dhe transparente, po ia vështirësojmë edhe më shumë.

 

 

 

 

The post “Nga sfida e informalitetit, te rritja e shpejtë dhe konkurrenca ndërkombëtare” appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

8 + 13 =