“Nga pandemia tek automatizimi, si po rritet me ritme të shpejta tregu i blerjeve online”

0

Flet Denis Dragoni, Drejtor i Zhvillimit të Biznesit pranë Albanian Courier

 

Në dy vitet e fundit, tregtia elektronike në Shqipëri ka njohur rritje të ndjeshme, duke reflektuar ndryshimet e shpejta në sjelljen e konsumatorit dhe zhvillimet teknologjike që kanë përmirësuar infrastrukturën e shërbimeve postare.

Në këtë intervistë për “Monitor”, Denis Dragoni, Drejtor i Zhvillimit të Biznesit pranë Albanian Courier, ndan të dhëna konkrete për rritjen e volumit të porosive online, sfidat logjistike në zonat rurale, ndikimin e pagesave “cash-on-delivery” dhe mënyrën si teknologjia po transformon përvojën e klientit.

Ai thekson rolin që duhet të luajë shteti për të disiplinuar tregun dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori në rritje.

 

Si ka ndryshuar volumi i porosive online në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit dhe çfarë tregojnë shifrat tuaja?

Porositë online, pas pandemisë, janë në trend rritës, i cili ka qenë veçanërisht i shpejtë në dy vitet e fundit. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së besimit të konsumatorëve ndaj këtij lloji blerjesh, si dhe nga përmirësimi i infrastrukturës logjistike edhe tek ofruesit e shërbimeve postare.

Duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2024 dhe sidomos gjatë 2025-s, në treg kanë filluar të ofrojnë shërbime edhe platforma gjigante ndërkombëtare për blerjet online.

Albanian Courier ka regjistruar një rritje me mbi 20% të volumit vjetor të dërgesave dhe parashikon një rritje me +35% gjatë vitit në vazhdim.

 

Cilat janë sfidat më të mëdha logjistike që përballeni për dërgesat e porosive online, veçanërisht në zonat rurale?

Zonat rurale mbeten sfiduese për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore dhe kostove më të larta për dërgesa individuale.

Një sfidë shtesë është edhe mungesa e dijes dixhitale te një pjesë e konsumatorëve ruralë, çka ndikon në ndërveprimin me teknologjitë e komunikimit.

Albanian Courier i ka adresuar këto problematika duke ofruar shërbimet e saj në një rrjet prej rreth 100 zyrash shërbimi PUDO (Pick Up Drop Off), në bashkëpunim me rrjetin e mirënjohur Western Union/Unionnet.

Gjatë vitit në vazhdim, ky bashkëpunim i suksesshëm po intensifikohet për të siguruar një mbulim sa më kapilar të territorit, duke mundësuar kështu shërbime të sigurta, në orarin e përshtatshëm për klientët dhe mbi të gjitha, në distanca deri në 500 metra nga banesa.

 

A ka ndonjë sezon ku porositë online arrijnë kulmin dhe si e menaxhoni në mënyrë logjistike këtë fluks?

Pikat kulmore janë tradicionalisht periudha e verës dhe e fundvitit. Për të përballuar fluksin, Albanian Courier shton flotën e mjeteve, stafin e shërbimit dhe mundëson orare operimi të zgjatura.

Gjatë vitit 2025, kompania ka investuar në parkun logjistik kryesor, jo vetëm në shtimin e kapaciteteve magazinuese, por edhe në një linjë përpunimi (sortimi) të dërgesave automatike, e cila mundëson përballimin e kapacitetit prej 400,000 dërgesash mujore.

 

Si po e përdorni teknologjinë për të përmirësuar shërbimin ndaj klientit (tracking, pagesa online, njoftime për dorëzim, etj.)?

Teknologjia është në qendër të strategjisë sonë. Kemi zhvilluar një platformë të personalizuar për gjurmim (tracking), ofrojmë API (shkëmbim automatik i të dhënave) për integrim me platformat e-commerce dhe njoftime automatike SMS/WhatsApp për gjendjen e porosisë.

Gjithashtu, kemi zgjeruar mundësinë e pagesave online nëpërmjet portofolit dixhital UPay, që mundëson konsumatorin të kryejë pagesa nëpërmjet celularit.

 

Sa ndikojnë pagesat “cash-on-delivery” në efikasitetin e operacioneve tuaja dhe a po ndryshon ky trend?

Pagesat Cash-on-Delivery (COD) dominojnë tregun shqiptar dhe sjellin kompleksitet shtesë operacional, kthime të pakove, rrezik për vonesa në arkëtim dhe rrjedhimisht rritje të kostove administrative.

Megjithatë, vëmë re një tendencë në rritje për pagesa online, sidomos nga brezat e rinj dhe përdoruesit më aktivë të e-commerce.

Ne po nxisim në mënyrë të vazhdueshme partnerët dhe klientët fundorë në përdorimin e platformave të reja të pagesave, siç është edhe portofoli dixhital UPay, i mundësuar nga Unioni Financiar Tiranë, kompania lidere në tregun e pagesave në Shqipëri.

 

Si është marrëdhënia juaj me bizneset e vogla dhe të mesme që operojnë online? A ofroni paketa të personalizuara për ta?

Marrëdhënia me bizneset e vogla dhe të mesme (SME) është një ndër përparësitë tona.

Ne ofrojmë paketa të personalizuara sipas volumit dhe nevojave, akses në sistemin tonë për gjurmim dhe raportim, si dhe mbështetje teknike për integrime direkte me platformat e tyre.

Gjithashtu, ofrojmë trajnime dhe asistencë për ndërtimin e proceseve më efikase në përpunimin e porosive.

 

Cilat janë prirjet kryesore që po shihni në tregun shqiptar të e-commerce dhe si po përgatiteni për to?

Po shohim një formalizim të tregut vit pas viti, rritje të përvojës së konsumatorit si prioritet dhe shtim të bashkëpunimeve ndërkombëtare (cross-border e-commerce).

Po përgatitemi për këtë me:

  • Zgjerim rajonal, veçanërisht në Kosovë, ku jemi të pranishëm që prej vitit 2010 me Albanian Courier Kosova dhe jemi në një fazë të avancuar për shtrirje në Maqedoninë e Veriut;
  • Investime në automatizim dhe data analytics;
  • Zhvillim të modeleve të dorëzimit fleksibël, pika alternative dorëzimi PUDO, përveç dorëzimit standard të këtyre dërgesave.

 

Çfarë roli duhet të luajë shteti për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të lehtësuar zhvillimin e e-commerce në Shqipëri?

Shteti duhet të luajë një rol katalizator në disa drejtime, ku ndër më kryesoret është disiplinimi i tregut të shërbimeve postare nga operatorë pa investimet e duhura në teknologji, infrastrukturë dhe personel.

Gjithashtu, është një nevojë e menjëhershme të saktësohet dhe të publikohet sistemi unik i adresave.

Ne mendojmë se, në linjë me formalizimin e përgjithshëm të ekonomisë, duhet më shumë fokus në eliminimin e pagesave POD dhe promovimin e duhur për pagesat digjitale apo alternative.

Vetëm me një bashkëpunim efektiv publik-privat mund të kemi një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të sektorit të e-commerce në Shqipëri.

 

 

 

 

The post “Nga pandemia tek automatizimi, si po rritet me ritme të shpejta tregu i blerjeve online” appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

eight − two =