Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar këtë të hënë projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, që parashikon rregullimin e tregut të administratorëve.
Përmes kësaj nisme ligjore, çdo pallat duhet të ketë një administrator që caktohet nga vetë pronarët e një pallati, të cilët po ashtu janë përgjegjës edhe për caktimin e tarifës mujore që do paguajnë për administrimin.
“Tarifa e administrimit” nënkupton detyrimin mujor që çdo bashkëpronar mbart për të paguar për mbulimin e shpenzimeve të administrimit dhe mirëmbajtjes së ndërtesës. tarifa përfshin koston e shërbimeve dhe mirëmbajtjes për hapësirat e përbashkëta, si shkallët, ashensorët, ndriçimi etj., dhe apo mjedis tjetër i përbashkët që kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme”, thuhet në projektligj.
Nëse tarifa nuk paguhet në kohë banori gjobitet dhe detyrimi i tij rritet si kamatëvonesë. Por jo vetëm kaq pasi administratori ka të drejtën të vendos edhe ‘sigurim hipotekor’, duke i bllokuar hipotekën e pronës, e cila as mund të shitet dhe as mund të lihet kolateral nëse pronari nuk paguan tarifën e administrimit.
Kjo gjë është bërë e ditur në Komisionin e Ekonomisë nga ministri i pushtetit vendor Arbjan Mazniku.
“Kur nuk paguhet tarifa do të ketë një shënim hipotekor, që në dokumentin hipotekor thuhet se subjekti në fjalë ka X detyrim dhe nuk bëhen dot veprime mbi pronën pa u shlyer detyrimi. Shton mekanizimin për të mbledhur paratë dhe zgjidh edhe problemin e banorëve që janë emigrantë”, tha Mazniku.
Pra nëse deri më sot ka pallate pa administrator, tani ai do të jetë i detyrueshëm, me pagesë të detyrueshme dhe penalitete të larta nëse nuk paguhet detyrimi nga banorët e pallatit.









