Insituti i Sigurimeve Shoqërore ka hartuar udhëzuesin i cili përcakton rregullat e qarta të zbatimit përmes së cilit do t’i vihet në ndihmë qytetarëve, të cilët kanë punuar dhe kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore të të dy vendeve, të përfitojnë nga të drejtat e tyre.
Udhëzuesi, përmban procedurat e aplikimit, kriteret dhe dokumentacionin sipas të cilave lindin edhe përfitimet konkrete sipas marrëveshjes në fuqi.
Kjo marrëveshje mbulon sipas legjislacionit shqiptar:
• Pension pleqërie;
• Pension invaliditeti;
• Pension familjar;
• Përfitime për sëmundje dhe barrëlindje;
• Përfitime nga papunësia.
Sipas legjislacionit italian:
• Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar për punonjës të sektorit privat, publik, të vetëpunësuar dhe të regjistruar në skema të veçanta;
• Përfitime nga papunësia;
• Përfitime në para për sëmundje, tuberkuloz dhe barrëlindje.
Si bëhet aplikimi për të bashkuar periudhat e sigurimit dhe për të marrë pensionin?
Nëse jeton në Shqipëri por ke vite pune në Itali, aplikimi për pension bëhet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore ose online në e-Albania dhe më pas është ISSH që bën kërkesë tek instituti italian për bashkimin e periudhave të sigurimit.
Ndërsa kur shqiptari jeton ende në Itali, e bën atje kërkesën për pension pranë (Istituto Nazionale della Previdenza Sociale në Itali) dhe është ky institut që bën më pas kërkesën për vitet e siguruara në Shqipëri.
Për të realizuar procesin e lidhjes së pensionit thuhet në dokument procesi zgjat deri në 2 muaj nga data e mbërritjes së kërkesës.
KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PENSION SHQIPTAR
Për të përfituar pension pleqërie në Shqipëri, personat e siguruar duhet të plotësojnë këto kushte:
• Të kenë një periudhë minimale sigurimi, jo më pak se 15 vite në të dyja vendet.
• Të kenë arritur moshën e përcaktuar me ligj për përfitimin e pensionit të pleqërisë, si më poshtë:
1. Mosha e daljes në pension për burrat:
• Deri në vitin 2032: 65 vjeç.
• Nga viti 2032 deri në vitin 2056: mosha e daljes në pension rritet me 1 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç.
2. Mosha e daljes në pension për gratë:
• Nga viti 2015: mosha rritet me 2 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç në vitin 2056.
• Në vitin 2025: mosha e daljes në pension për gratë është 61 vjeç e 10 muaj. Dokumentacioni i nevojshëm:
1. Deklaratë personale e historikut të punësimit.
2. Librezë pune (nëse e disponon).
3. Certifikatë martese (vetëm për gratë).
4. Vërtetim nga gjendja civile, në rastet kur ka pasur ndryshim të gjeneraliteteve.
5. Diplomë e shkollës së lartë vetëm për gratë (nuk kërkohet pas datës 31.12.2032).
6. Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe periudhën e vuajtjes së tij (nëse e disponon).
7.Vendim gjykate për njohjen e vjetërsisë në punë (nëse e ka).
8.Të dhëna bankare të firmosura nga institucioni bankar për pagesën e pensionit.
9. Kopje e dokumentit të identifikimit shqiptar/italian.
KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PENSION ITALIAN
Ky përfitim i jepet punonjësve që kanë arritur moshën dhe kontributet e përcaktuara ligjërisht. Kushtet për përfitim janë si më poshtë:
• Mosha e kërkuar është 67 vjeç si për burrat edhe për gratë si dhe personi të ketë grumbulluar 20 vite periudha sigurimi (sistem i përzier ose kontributiv).
• Për ata persona që kanë periudha kontributive vetëm pas vitit 1996, kërkohet që pensioni i llogaritur të jetë të paktën sa shuma e asistencës/ ndihmës sociale, në Itali, ose mund të kërkohet në moshën 71 vjeç me të paktën 5 vite kontributive efektive. Për personat e punësuar kërkohet ndërprerja e marrëdhënies së punës.
Dokumentacioni i nevojshëm gjatë paraqitjes së kërkesës për pension në Itali është:
• Dokumentacion që dëshmon punësimin ose sigurimin shoqëror në Itali;
• Dokumentacion italian për kryerjen e shërbimit ushtarak, në rastin e shtetasve italianë, rezidentë jashtë shtetit, që kanë kryer shërbim ushtarak në Itali, periudha sëmundjesh, periudhë barrëlindjeje, etj;
• Dokumentacion lidhur me ndërprerjen e aktivitetit punëdhënës;
• Certifikatë familjare;
• Kopje e kodit fiskal të vërtetuar nëpërmjet zyrës së taksave (ose përmes Konsullatës Italiane në Shqipëri) të familjarit/ ëve në ngarkim që nuk ka/ kanë punuar kurrë në Itali;
• Dokumentacion bankar ku të specifikohet titullari/ bashkë-titullari i llogarisë bankare në të cilën duhet kryer pagesa e përfitimit;
• Kopje e dokumentit të identitetit









