Dritan Goxhaj dhe Edison Lika u lanë të lirë mbrëmjen e kësaj të mërkure. Dy aktivistët ishin shoqëruar me forcë nga policia gjatë protestës së studentëve dhe qytetarëve përpara Kryeministrisë.
Shoqërimi erdhi pas një përplasjeje me efektivët, të cilët i gjobitën për zhvillimin e një tubimi të paligjshëm. Goxhaj dhe Lika kundërshtuan veprimet e policisë dhe nuk pranuan fletët e gjobave.
Vendimi për t’i shoqëruar shkaktoi tensione te protestuesit përpara Kryeministrisë. Disa vajza u vendosën si gardh njerëzor përpara furgonit të policisë, në përpjekje për të ndalur largimin e tij.
Gjatë përplasjeve, forcat e rendit përdorën spraj me piper. Disa protestuese u ndien keq dhe patën nevojë për ndihmë mjekësore.
Pas shoqërimit të dy aktivistëve, studentët dhe qytetarët vijuan protestën përpara Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.
Sipas protestuesve, tubimi ishte i ligjshëm dhe policia ishte njoftuar paraprakisht se ai do të zhvillohej në bulevard.
Goxhaj dhe Lika u liruan pas disa orësh. Ende nuk është e qartë nëse do të ketë procedura të tjera ndaj tyre në lidhje me incidentin.
The post Lirohen Dritan Goxhaj dhe Edison Lika, të shoqëruar nga policia pasi refuzuan gjobat appeared first on Albeu.com.









