Komisioni për Buxhet miraton raportin e RTK-së dhe ndan 4.48 milionë euro për gjysmën e dytë të vitit

0

Komisioni për Buxhet, i udhëhequr nga Enver Haliti, ka aprovuar raportin financiar të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për periudhën janar-qershor 2026. Në të njëjtën kohë, komisioni ka vendosur të ndajë 4 milionë e 480 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të transmetuesit publik gjatë muajve korrik-dhjetor të këtij viti.

Raportin për gjashtëmujorin e parë e paraqiti nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Xheraldina Cernobregu. Ajo foli për vështirësitë menaxheriale dhe financiare të institucionit pas funksionalizimit të Bordit të ri në prill të këtij viti.

Cernobregu theksoi se problemet financiare dhe detyrimet e trashëguara kanë ndikuar në punën e RTK-së, përfshirë edhe realizimin e investimeve kapitale.

Pas raportimit, anëtarët e Komisionit parashtruan pyetje për situatën financiare të transmetuesit publik. Përgjigje dhanë drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, si dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar, Fetah Gjata.

Gjatë mbledhjes, Spahiu prezantoi edhe planin e shpenzimeve të RTK-së për periudhën korrik-dhjetor 2026. Dokumenti u shqyrtua nga komisioni përpara se të merrej vendimi për ndarjen e mjeteve.

Pas përfundimit të diskutimeve, Komisioni miratoi raportin financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit dhe caktoi shumën prej 4 milionë e 480 mijë eurosh për shpenzimet e gjashtëmujorit të dytë.

Komisioni miratoi gjithashtu raportin që përmban rekomandimet e komisioneve të përhershme të Kuvendit për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Ky projektligj është rekomanduar për votim në seancën e Kuvendit të planifikuar për nesër.

Ndërkohë, shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2026 u vendos të zhvillohet në mbledhjen e ardhshme. Shtyrja u propozua nga kryetari Enver Haliti dhe u mbështet nga anëtarët e Komisionit.

The post Komisioni për Buxhet miraton raportin e RTK-së dhe ndan 4.48 milionë euro për gjysmën e dytë të vitit appeared first on Albeu.com.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

three × five =