Gashani: Kosova do t’i zhvillojë Lojërat Mesdhetare në vitin 2030

0

Ministri në detyrë i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka deklaruar se Kosova do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare 2030, pavarësisht vështirësive dhe shqetësimeve të shfaqura lidhur me përgatitjet për këtë ngjarje.

Reagimi i tij erdhi përmes një postimi në Facebook, pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikoi një korrespondencë të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG). Gashani tha se institucionet vazhdojnë të jenë tërësisht të përkushtuara ndaj organizimit të garave.

“Përkushtimi ynë për organizimin dhe realizimin me sukses të këtij eventi madhor sportiv mbetet i plotë dhe i palëkundur”.

Sipas ministrit, problematikat që shoqërojnë projekte të një përmase të tillë po trajtohen me seriozitet dhe vendosmëri.

“Vështirësitë, problemet dhe kompleksiteti i natyrshëm i projekteve të tilla po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, pa zhurmë, pa britma, pa ankesa”, ka deklaruar ministri në detyrë.

Gashani e ka cilësuar të papërshtatshme mënyrën se si Rama e bëri publike letrën, duke argumentuar se korrespondenca nuk pasqyron të gjitha komunikimet dhe angazhimet institucionale.

“Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje, thënë më së buti, problematike”.

Ministri nënvizoi se Lojërat Mesdhetare përfaqësojnë një mundësi të veçantë për Kosovën dhe se realizimi i tyre kërkon angazhim të përbashkët nga institucionet.

“Lojërat Mesdhetare janë një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për sportin, për vendin tonë dhe për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Ai përsëriti se Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë përgjegjësinë për garantimin e organizimit të kësaj ngjarjeje sportive.

“Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre. Prandaj, qytetarë të Kosovës, po e themi përsëri: Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030!”, ka përfunduar ministri në detyrë.

Dyshimet për zhvillimin e Lojërave Mesdhetare 2030 kanë të bëjnë me përgatitjen e infrastrukturës sportive, aspektet logjistike, bashkërendimin mes institucioneve, si dhe detyrimet financiare e administrative ndaj ICMG-së.

Në dokumentin e bërë publik nga Përparim Rama përmenden moskthimi i përgjigjeve ndaj një komunikimi të mëparshëm, garancia e sigurimit dhe një tarifë e papaguar. Sipas ICMG-së, këto çështje mund të vënë në rrezik organizimin e ngjarjes.

The post Gashani: Kosova do t’i zhvillojë Lojërat Mesdhetare në vitin 2030 appeared first on Albeu.com.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

five + nine =