Situata e krijuar rreth Egnatias para përballjes me Midtjylland, e vlefshme për raundin e parë të Conference League, ka marrë një tjetër zhvillim. Pas zërave për shtyrjen e takimit për shkak të protestave masive në kryeqytet, klubi publikoi një njoftim ku konfirmoi se ndeshja do të luhet sipas planit.
Pas këtij qëndrimi duket se qëndron edhe presioni i UEFA-s. Institucioni europian i ka kërkuar Egnatias të zbatojë marrëveshjen organizative dhe ta zhvillojë sfidën në stadiumin “Air Albania”, në orën 18:45, ashtu siç përcaktohet në protokollin zyrtar.
Çdo vendim për shtyrjen e ndeshjes ose zhvendosjen e saj në një impiant tjetër do t’i kushtonte shtrenjtë kampionëve të Shqipërisë. Egnatia rrezikonte humbjen në tavolinë, si edhe një gjobë të majme, duke e nisur në mënyrën më të vështirë rrugëtimin europian. Ndërkohë, siguria mbetet ende shqetësimi kryesor, pasi Policia nuk ka reaguar për mbarëvajtjen e përballjes.
The post UEFA detyroi Egnatian të zhvillojë ndeshjen në “Air Albania”, kampionët rrezikonin humbjen në tavolinë appeared first on Albeu.com.









