Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses ekstradimin në Shqipëri të shtetasit Florenc Çapja, 44 vjeç, i akuzuar si porositës i tre vrasjeve, përkatësisht Nezir dhe Gentian Beqirit, të vrarë në 2012, Fadil Mema, i plagosur në 2006 dhe Sokol Sanxhaktarit. Ky veprim u realizua si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.
Florenc Çapja, i lindur në Elbasan, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes”, kryer në kuadër të një grupi kriminal dhe “Vrasja në rrethana cilësuese” në bashkëpunim. Në vitin 2021, ai ishte shpallur i akuzuar nga Gjykata e Elbasanit për vrasje dhe për mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
Ky ekstradim është një dëshmi e bashkëpunimit të shkëlqyer të Policisë së Shtetit me autoritetet ndërkombëtare, duke treguar angazhimin e Policisë për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.








