Delegacioni i UEFA-s viziton Kosovën, në qendër zhvillimi i infrastrukturës së futbollit

0

Petr Fousek, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe kryetar i Komitetit për Stadiume dhe Siguri, së bashku me Thierry Favre, drejtor i Programit HatTrick dhe i Zhvillimit të Federatave Kombëtare në UEFA, zhvilluan një vizitë dyditore në Kosovë. Qëndrimi u organizua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes UEFA-s dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

Gjatë vizitës, Fousek dhe Favre, të shoqëruar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, u takuan me ministrin e Sportit, Blerim Gashani. Bisedimet u përqendruan te infrastruktura e futbollit, investimet strategjike dhe roli i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në Kosovë.

Gashani shprehu mirënjohje për ndihmën e vazhdueshme të UEFA-s dhe e përshkroi dekadën e futbollit kosovar në familjen evropiane si një rrugëtim të jashtëzakonshëm e shumë produktiv. Ai përgëzoi gjithashtu punën e FFK-së nën drejtimin e Ademit dhe tha se sheh me optimizëm të ardhmen e futbollit në vend.

Ministri bëri të ditur se, krahas vijimit të punimeve në stadiumet ku ato kanë nisur, së shpejti pritet të jepet lajmi për nisjen e ndërtimit të stadiumit nacional.

Fousek tha se vizita synon të riafirmojë përkrahjen e UEFA-s për FFK-në dhe të vlerësojë përpjekjet zhvillimore të vazhdueshme nën udhëheqjen e presidentit Ademi. Ai shprehu besimin e UEFA-s te puna dhe vizioni i Federatës, ndërsa theksoi se mbështetja e institucioneve shtetërore është thelbësore, sidomos për projektet infrastrukturore që përbëjnë kusht për zhvillimin afatgjatë të futbollit.

Favre vuri në dukje se kthimi në Kosovë ka rëndësi të veçantë për të, pasi ka qenë pjesë e rrugëtimit të futbollit kosovar në UEFA që prej ditës së parë. Ai përgëzoi përparimin ndër vite dhe veçoi Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali si një prej projekteve më të mëdha e më të rëndësishme zhvillimore në Kosovë.

Pas bisedimeve me ministrin Gashani, delegacioni dhe presidenti Ademi vizituan Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Aty u njohën me investimet e kryera, infrastrukturën dhe planet për zgjerimin e mëtejshëm të kompleksit. Kampi është ndër investimet strategjike të FFK-së dhe ka rëndësi për përgatitjen e ekipeve kombëtare, formimin e talenteve të rinj dhe përmirësimin e standardeve profesionale të futbollit në vend.

Përfaqësuesit e UEFA-s panë edhe stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku u informuan për gjendjen e infrastrukturës, kushtet dhe kapacitetet e impiantit që pret ndeshjet ndërkombëtare të Kombëtares së Kosovës dhe takimet e klubeve në garat evropiane.

Vizita përfundoi me një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Në bisedë u trajtua projekti i stadiumit të ri në kryeqytet, i cilësuar si i domosdoshëm për zhvillimin e futbollit dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.

Palët shqyrtuan gjithashtu mundësinë që Prishtina, në të ardhmen e afërt, të presë ngjarje të mëdha ndërkombëtare futbolli, përfshirë finalet e garave të UEFA-s. Një stadium modern, i ndërtuar sipas standardeve më të larta të UEFA-s, do të hapte mundësi të reja për kryeqytetin dhe Kosovën që të pozicionohen në hartën e organizimeve të rëndësishme të futbollit evropian.

Pjesëmarrësit nënvizuan se realizimi i këtij projekti strategjik kërkon bashkëpunim dhe koordinim mes FFK-së, Komunës së Prishtinës dhe UEFA-s.

The post Delegacioni i UEFA-s viziton Kosovën, në qendër zhvillimi i infrastrukturës së futbollit appeared first on Albeu.com.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

two × 4 =