Shtrenjtimi i ushqimeve, i apartamenteve, rritja e qirave apo çmimet e larta për produkte e shërbime të tjera, nuk po ju lënë më para në xhep qytetarëve. Madje edhe ata që kanë kursime kanë nisur ti tërheqin sipas Bankës së Shqipërisë.
Në fund të muajit mars depozitat ishin 13.8 miliardë euro nga 13.96 miliardë euro që ishte vlera në fund të muajit janar.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se depozitat pësuan rënie me 0.6% në krahasim me shkurtin dhe 1.1% në krahasim me janarin.
Depozitat e përfshira në paranë e gjerë i referohen të gjithë parave që qytetarët dhe bizneset mbajnë në bankë, pra paratë në llogaritë bankare, në llogari kursimi, në depozita afatshkurtra ose afatgjata dhe të tjera.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se qytetarët e bizneset I mbajnë kryesisht në valutë kursimet. Depozitat në lekë arrijnë në 645 miliardë lekë ndërsa ato në valutë janë në vlerën 735 miliardë lekë.
Shumica e bizneseve dhe qytetarëve kursimet nuk i konsideron me leverdi pasi normat e interesit janë minimale.











