Kandidati për deputet i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Zeqir Kordhoni nuk heq dorë nga mandati i deputetit nëse ai do të shpallet fitues.
Daja i Endri Shabanit i ka dërguar letër Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku i kërkon të injorohet çdo lloj deklarate e bërë deri më tani dhe se ai dëshiron të marrë mandatin e deputetit nëse i takon.
Duke qenë se mandatin e merr kandidati i parë i listës së mbyllur, Kordhini si pjesë e listës së mbyllur ndryshe nga kandidatët e tjere nuk heq dorë nga mandati, duke rrezikuar karrigen e Adriatik Lapaj që ka marrë më shumë vota në listë të hapur.
“Unë, i nënshkruari Zeqir Kordhoni kam kandiduar për Koalicionin “Nisma Shqipëria Behet” ne qarkun e Tiranës në zgjedhjet parlamentare të datës 11 Maj 2025.
Përmes kësaj deklarate të nënshkruar përpara noterit sot, me date 15/07/2025, dua të vë në dijeni Komisionin Qendror te Zgjedhjeve, vullnetin tim të plotë për të ushtruar funksionin e deputetit në rast se shpallem fitues, pas shpërndarjes së mandateve në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Republikës se Shqipërisë.
Ne këtë kuadër, kërkoj që KQZ të injorojë çdo deklarate tjetër të depozituar më parë nga Koalicioni “Nisma Shqipëria Behet” ose në emrin tim dhe të marrë në konsideratë vetëm këtë deklaratë si shprehje të qartë dhe të vlefshme të vullnetit tim“, thuhet në letrën që Kordhoni i ka dërguar KQZ-së.
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” e futi në listë të mbyllur emra familjarësh në mënyrë që ata të digjnin mandatin, në mënyrë që të fitonte më i votuari nga lista e hapur.
Por duke qenë se Kordhoni kërkon ta mbajë mandatin, shpresat e Adriatik Lapaj për të hyrë në Kuvend në Shtator si më i votuari i listës së hapur të koalicionit duket se po shuhen.










