Në shkurt të vitit 2025, kur Jamal Musiala rinovoi kontratën me Bayern Munichun, futbollisti mori një bonus prej 22 milionë eurosh. Kjo shumë iu shtua marrëveshjes së kushtueshme me klubin gjerman.
Revista gjermane “Stern” raporton se Musiala përfiton gjithashtu një pagë vjetore bruto prej 25 milionë eurosh. Sipas të njëjtit raportim, bonusi i besnikërisë iu dha për nënshkrimin e kontratës së re.
Shuma është e rrallë në futboll dhe bie në sy veçanërisht te Bayern Munichu, klub i njohur për qasjen e kujdesshme ndaj financave. Përgjatë kontratës, shpenzimet e klubit për yllin gjerman pritet të tejkalojnë 150 milionë euro.
Tashmë, problemet shëndetësore të 23-vjeçarit kanë ndryshuar mënyrën si shihet ky investim. Shqetësimet neurologjike dhe paqartësia për rikthimin e tij në nivelin më të lartë kanë ngritur pikëpyetje për të ardhmen e lojtarit.
Uli Hoeness dhe Karl-Heinz Rummenigge kanë shprehur synimin të diskutojnë me Musialën për kushtet e marrëveshjes dhe mundësinë e uljes së shpenzimeve. Kur kontrata u firmos në shkurt të vitit 2025, klubi nuk mund ta parashikonte se problemet shëndetësore të lojtarit do të merrnin përmasa të tilla.
Sipas raportimit, marrëveshja parashikon edhe kushte të posaçme, mes tyre më shumë ditë pushimi për arsye shëndetësore dhe një pagë fikse, më pak të lidhur me rezultatet sportive të klubit. Këto dispozita, së bashku me bonusin prej 22 milionë eurosh, e rendisin kontratën ndër investimet më të mëdha të Bayern Munichut.
The post Bonusi prej 22 milionë eurosh i Musialës po rëndon te Bayern Munich appeared first on Albeu.com.









