NPB-ja rifillon pagesat dhe punën pas vendimit të Gjykatës Supreme

0

Ndërmarrja Publike Banesore ka proceduar pagat e punëtorëve pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila e ka kthyer në rigjykim kontestin mes NPB-së dhe tri kompanive tregtare.

Kryeshefi ekzekutiv i NPB-së, Arton Berisha, deklaroi në një konferencë për media se vendimi përbën një zhvillim të rëndësishëm për ndërmarrjen, pasi revizioni është përfunduar me sukses.

Sipas tij, punëtorët kanë vazhduar të kryejnë detyrat e tyre edhe pse kanë mbetur pa paga për më shumë se dy muaj dhe tashmë kanë hyrë në muajin e tretë pa pagesa. Berisha tha se shërbimet e ndërmarrjes nuk janë ndërprerë asnjë ditë.

Ai bëri të ditur se menaxhmenti ka ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e interesave të NPB-së. Në këtë kuadër, Berisha falënderoi kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe dy nënkryetarët për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj periudhe.

Pagat e punëtorëve tashmë janë proceduar, ndërsa nga e hëna Ndërmarrja Publike Banesore pritet ta rifillojë veprimtarinë në mënyrë normale.

“Pas këtij zhvillimi, qëllimi ynë kryesor është kthimi i plotë në normalitet dhe vijimi i punës, krahas përgatitjes së hapave të ardhshëm për mbrojtjen e interesit të NPB-së. Pagat janë proceduar dhe nga e hëna do të vazhdojmë punën në shërbim të qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë komunitetit”, tha Berisha.

Avokati i NPB-së, Faton Fetahu, e cilësoi vendimin e Gjykatës Supreme si një arritje në mbrojtje të interesit publik. Sipas tij, gjykata ka rrëzuar dy aktgjykime të Gjykatës Komerciale, përmes të cilave ndërmarrja ishte detyruar t’u paguante tri kompanive private më shumë se 32 milionë euro.

Fetahu sqaroi se detyrimi prej 32 milionë e 570 mijë eurosh, ku rreth 32 milionë euro ishin kërkuar për fitimin e humbur, do ta rrezikonte rëndë vazhdimësinë e punës së ndërmarrjes.

“Bëhet fjalë për një shumë jashtëzakonisht të lartë, e cila mund të cenonte seriozisht ekzistencën dhe funksionimin e Ndërmarrjes Publike Banesore, duke e ekspozuar atë edhe ndaj rrezikut të falimentimit”, deklaroi Fetahu.

Ai tha se vendimi ka peshë edhe për komunitetin juridik në Kosovë, veçanërisht në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me përgjegjësinë për dëmin dhe përcaktimin e fitimit të humbur.

“Ky është një vendim me rëndësi të jashtëzakonshme për mbrojtjen e interesit publik. Përmes tij janë qartësuar standardet themelore të procedurës civile, të së drejtës së detyrimeve dhe, në veçanti, përgjegjësisë për shkaktimin e dëmit”, u shpreh avokati i NPB-së.

Gjykata Supreme e kishte kthyer për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë çështjen gjyqësore mes Ndërmarrjes Publike Banesore dhe tri shoqërive tregtare.

Gjykata i kishte konsideruar të bazuara revizionet e paraqitura nga “Made Group Construction” SH.P.K., “Arkos” SH.P.K. dhe “Madekos” SH.P.K., nga NPB-ja si palë e paditur, si dhe nga Komuna e Prishtinës në cilësinë e palës ndërhyrëse. Kontesti lidhet me përmbushjen e kontratës ose kompensimin e dëmit material, përfshirë dëmin e zakonshëm dhe fitimin e humbur.

Në gusht, NPB-ja kishte njoftuar se llogaritë bankare të saj ishin bllokuar për shkak të një procedure përmbarimore të lidhur me këtë proces gjyqësor.

Gjykata Komerciale e kishte obliguar ndërmarrjen t’ua paguante 32.5 milionë euro tri kompanive, “Made Kos”, “Made Group” dhe “Arkos”, në emër të fitimit të humbur. Me këto kompani, NPB-ja kishte nënshkruar në vitin 2021 një kontratë për bashkinvestim, e cila nuk ishte realizuar.

The post NPB-ja rifillon pagesat dhe punën pas vendimit të Gjykatës Supreme appeared first on Albeu.com.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

8 − three =