Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, njoftoi se gjashtë policë janë suspenduar lidhur me incidentin e 7 tetorit në Shkup.
Vendimi u mor pas analizimit të pamjeve filmike, deklaratave të dëshmitarëve dhe verifikimeve të kryera nga Kontrolli i Brendshëm. Sipas Isenit, gjatë veprimeve të policëve janë evidentuar parregullsi të rënda, ndërsa ndaj tyre do të zhvillohet procedurë disiplinore.
Iseni deklaroi se keqpërdorimi i forcës nuk mund të tolerohet dhe se uniforma apo pozita zyrtare nuk mund ta përjashtojë askënd nga përgjegjësia para ligjit.
“Uniforma policore nënkupton detyrimin për të mbrojtur qytetarët. Çdo keqpërdorim i saj dëmton dinjitetin e tyre, besimin te policia dhe autoritetin shtetëror”, tha ai, duke shtuar se hetimet për ngjarjen e 7 tetorit kanë zbuluar shkelje në veprimet e punonjësve policorë.
Zëvendësministri theksoi se suspendimi nuk përbën përfundimin e procesit. Në bazë të udhëzimeve të prokurorive kompetente, po kryhen ekspertiza dhe po dokumentohen të gjitha provat, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë së mundshme penale.
“As uniforma, as detyra dhe as përkatësia nuk e përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit. Qytetarët kanë të drejtë për siguri, dinjitet dhe një polici profesionale. Besimi te policia forcohet vetëm përmes përgjegjësisë për çdo shkelje”, u shpreh Iseni./Telegrafi/
The post Pas incidentit në Shkup, pezullohen 6 zyrtarë policorë appeared first on Albeu.com.







