Egzon dhe Nafije Bogujevci u përcollën sot për në banesën e fundit në Pozheran të Vitisë, ku në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë dhe shumë qytetarë.
Vëllai dhe motra dyshohet se u vranë nga Valon Ramushi. Vrasja e dyfishtë ndodhi të premten, në orën 14:26, në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku i dyshuari dyshohet se i mori jetën gruas dhe vëllait të saj.
Gjatë ngjarjes u plagos rëndë edhe një person tjetër, që besohet të jetë djali i axhës së viktimave. Ai po trajtohet në repartin e Intensivës në QKUK.
Pas ngjarjes, i dyshuari raportohet se u dorëzua në polici. Prokuroria Themelore në Gjilan po punon për të sqaruar rrethanat e rastit.
Një familjar i afërt i viktimave i tha dje KosovaPress-it se, sipas dyshimeve, shkak i ngjarjes mund të ketë qenë xhelozia e bashkëshortit të viktimës. Ai shtoi se më herët nuk kishin pasur probleme të theksuara familjare dhe bëri të ditur se djali i vrarë ishte i vetmi djalë i familjes.
Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim për Valon Ramushin.
The post Pozherani i dha lamtumirën e fundit Egzon dhe Nafije Bogujevcit appeared first on Albeu.com.







