Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër ka hartuar planin e masave për sezonin e ri turistik.
Drejtori i këtij institucioni, Agim Dardha, thekson se vëmendja kryesore do të jetë në Parkun Kombëtar të Alpeve në Theth, në plazhin e Velipojës dhe në lumin e Shalës.
“Kemi dy zyra informacioni, të cilat do të funksionojnë gjithë sezonin e verës. Një e kemi në Velipojë dhe një në Parkun Kombëtar të Alpeve, konkretisht në Theth. Do të jenë të hapura çdo ditë, duke dhënë informacionin e nevojshëm si për bujtina, shtigje, vendet piktoreske dhe monumentet e natyrës që vizitohen gjatë këtij sezoni turistik,” shprehet z. Dardha.
Gjithashtu AdZM ka edhe një plan për menaxhimin e mbetjeve.
“Duke pasur parasysh trendin e rritjes së numrit të turistëve vitet e fundit, edhe këtë vit do të kemi një rritje të numrit të turistëve, kryesisht të turizmit të aventurës, i cili jo vetëm në pjesën e liqenit, lumit Buna, Velipojë, Parkut Kombëtar të Alpeve, lumit të Shalës. Mund të kemi një rritje të konsiderueshme, për këtë arsye do të fillojmë fushata sensibilizuese, me qëllim që të mos kemi ndotje të ambientit, duke filluar me aksionet e pastrimit,” thotë drejtori i AdZM-së Shkodër.
Drejtori Dardha i kërkoi edhe komunitetit që të tregohet më i kujdesshëm ndaj kësaj pasurie, që u shërben në radhë të parë atyre për rritjen e mirëqenies ekonomike.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/
The post Zonat e mbrojtura në Shkodër, hartohet plani i masave për një sezon turistik cilësor appeared first on RTSH.








