Zhvillimi i qëndrueshëm kërkon partneritet mes qeverisë, bankave dhe sektorit privat

0

Intervistë me Flutura Veipi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Union Bank

 

Union Bank po hyn në një fazë të re konsolidimi dhe zgjerimi, duke shënuar rezultate të forta financiare dhe duke rritur pjesën e saj në tregun bankar.

Në një intervistë për “Monitor”, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive, znj. Flutura Veipi, ndalet te rritja e qëndrueshme e bankës, strategjitë për digjitalizimin dhe mbështetjen e sektorëve prioritarë të ekonomisë.

Ajo jep gjithashtu rekomandime për politikat që duhen ndjekur për të siguruar një zhvillim cilësor dhe për të përgatitur vendin për integrimin në Bashkimin Europian, duke vënë theksin te turizmi, energjia e rinovueshme, infrastruktura dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

Në fokus mbetet partneriteti mes qeverisë, sektorit privat dhe institucioneve financiare për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme dhe konkurruese.

 

Si do ta vlerësonit ecurinë e Union Bank në vitin 2024 dhe pjesën e deritanishme të vitit 2025? Cilat janë pritshmëritë për periudhën në vijim?

Në vitin 2024, Union Bank vijoi të konsolidojë pozicionin e saj në tregun bankar, duke u rikonfirmuar si shoqëria më e rëndësishme brenda Grupit Union.

Rezultatet financiare janë mjaft domethënëse: fitimi para taksave i Union Bank në vitin 2024, përfaqëson rreth 75,9% të fitimit total të konsoliduar të grupit, si dhe shënoi një rritje prej 61.9% krahasuar me vitin 2023 (952.7 milionë lekë) dhe 75.4% më të lartë krahasuar me periudhën para pandemisë (2019: 878.9 milionë lekë).

Në vitin 2024, Union Bank zotëron 5.11% të aseteve të industrisë bankare nga 4.41% në 2019-n.

Kjo rritje, megjithëse graduale, reflekton menaxhimin efikas financiar dhe tregon një orientim të qartë drejt zgjerimit të qëndrueshëm, duke u mbështetur te shtimi i shërbimeve dhe produkteve, investimet në sisteme kritike, përmirësimi i proceseve të brendshme, politikat e burimeve njerëzore dhe përfshirja në projekte madhore financimi.

Në vitin 2025, Union Bank hyn me pritshmëri të larta. Gjysma e parë e vitit 2025 ka një fitim para taksave prej rreth 805.6 milionë lekësh dhe duket që deri në fund të vitit, fitimi do të jetë në linjë me rritjen e lartë të viteve të fundit.

Në të njëjtën kohë, vazhdon rritja e pjesës së tregut bankar duke arritur në 5.24% në fund të muajit qershor 2025.

Strategjia për periudhën në vijim është e qartë: zgjerim i bazës së klientëve përmes kanaleve digjitale dhe modeleve të përmirësuara të shërbimit si dhe rritje të qëndrueshme dhe të balancuar të aseteve dhe përfitueshmërisë.

Kërkesa e klientëve për shërbim 24 orë shton te ne nevojën për investime.

Ambienti ekonomik pritet të mbështesë këtë trend pozitiv. Zgjerimi i sektorëve të turizmit dhe të ndërtimit do të gjenerojë kërkesë shtesë për financim, shërbime bankare dhe menaxhim të likuiditetit.

Në këtë sfond, Union Bank pozicionohet për të përfituar nga mundësitë e reja duke vijuar misionin e saj për të qenë një institucion financiar dinamik, inovativ dhe partner afatgjatë për klientët e saj.

 

 

Si e shikoni në të ardhmen ekonominë shqiptare, teksa vendi po përparon drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian?         

Ekonomia shqiptare ka hyrë në një cikël me performancë të qëndrueshme. Rritja e PBB me rreth 3% ka qenë pothuajse konstante këto vite, edhe pse u ndeshëm me rreziqe të veçanta (pandemia, tërmeti, lufta në Ukrainë, inflacioni global).

Vlerësimet nga institucionet ndërkombëtare dhe ato të vlerësimit të riskut e kanë konfirmuar këtë prirje dhe këtë fazë të re, ku përveç zhvillimeve sasiore, po merr përparësi gjithmonë dhe më shumë zhvillimi cilësor.

Prirja drejt shërbimeve digjitale dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Europian është një program tashmë i shpallur dhe po realizohet hap pas hapi jo vetëm nga sektori privat, por edhe nga Qeveria.

Bankat priren që në biznesin e tyre të ndjekin strategjitë zhvilluese të qeverisë.

Në këto vite, sektorë si industria, turizmi, energjia dhe infrastruktura kanë qenë prioritet dhe ne kemi përshtatur politikat tona për produkte dhe shërbime drejt këtyre sektorëve, duke u bërë partnerë të rëndësishëm financiarë.

Njëkohësisht, në Union Bank kemi pasur në qendër të vëmendjes individin, retail-in, ku digjitalizimi i shërbimeve financiare ka ndikuar në mënyrën se si zhvillohet veprimtaria bankare dhe se si individi dhe biznesi qasen në bankë.

Kreditë hipotekore dhe ato konsumatore, së bashku me reduktimin e përdorimit të parasë fizike dhe promovimin e kanaleve alternative, do të jenë vektorët kryesorë të rritjes në këtë segment.

Duke qenë se vendi ka hyrë në fazën e plotësimit të kërkesave dhe të standardeve për pranim në BE, zhvillimi cilësor i ekonomisë merr theks të veçantë.

Mesazhi ynë për qeverinë është që të vazhdojë të orientojë politikat zhvillimore drejt sektorëve me potencial afatgjatë, si turizmi, energjia e rinovueshme, infrastruktura moderne dhe industria prodhuese.

Njëkohësisht, përparësi duhet t’i jepet përmirësimit të klimës së biznesit, mbështetjes së SME-ve dhe përshpejtimit të proceseve të digjitalizimit.

Nga ana jonë, si institucion bankar, do të vijojmë të mbështesim këto prioritete përmes produkteve inovative dhe financimit të qëndrueshëm.

Proceset e huadhënies po modernizohen në përputhje me teknologjitë e reja, duke ofruar shërbime më të shpejta, fleksibël dhe të personalizuara për klientët tanë.

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe integrimi në BE kërkojnë partneritet të fortë mes qeverisë, institucioneve financiare dhe sektorit privat.

Ne mbetemi të përkushtuar që të japim kontributin tonë në këtë proces duke ruajtur cilësinë e portofolit të kredisë dhe duke mbështetur rritjen e qëndrueshme të ekonomisë vendase.

 

Në korrik, Banka e Shqipërisë mori disa masa për të shtrënguar kriteret e dhënies së kredisë për shtëpi. Si prisni të ndikojnë këto masa në ecurinë e kredisë për pasuri të paluajtshme?

Banka e Shqipërisë bën analiza makroekonomike dhe ka detyrën të parashikojë në kohë piku të zhvillimit pozitiv, edhe rreziqet që mund të sjellë ky zhvillim, në tërësi apo në industri të veçanta të ekonomisë.

Pasuria e paluajtshme është aktivitet, ritmet e zhvillimit të të cilit mund të njohin model ciklik, me ritme të shpejta zgjerimi, të ndjekura nga faza shtrëngimi.

Në këtë kontekst, vendimi i Bankës së Shqipërisë për të forcuar kriteret e huadhënies shihet si një masë e arsyeshme dhe e mirëpritur, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar afatgjatë. Është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi efektet e plota të këtyre masave.

Megjithatë, edhe nëse ato sjellin ngadalësim të moderuar të ritmeve të kreditimit në këtë segment, kjo do të thotë se objektivi i Bankës së Shqipërisë është arritur: balancimi i tregut dhe menaxhimi më i kujdesshëm i riskut.

Masat nuk janë aq drastike sa të pengojnë financimin e blerjes së pasurive të paluajtshme, por synojnë të kufizojnë rastet kur blerja financohet 100% nga kredia, duke kërkuar një kontribut më të madh nga vetë kredimarrësi.

Kjo ndihmon në uljen e riskut të mospagimit afatgjatë dhe në forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar.

Në këtë kuadër, Union Bank do të vazhdojë aktivitetin e saj kreditues me fokus të qartë te cilësia e portofolit dhe analiza e thelluar e riskut.

Qasja jonë është e bazuar në menaxhim të kujdesshëm dhe përgjegjës të kapitalit duke siguruar një bazë të fortë për rritje të qëndrueshme të të ardhurave nga interesi dhe një zhvillim afatgjatë të qëndrueshëm të tregut të pasurive të paluajtshme.

 

Për herë të parë pas shumë vitesh, kur sistemi ishte në fazë konsolidimi, Banka e Shqipërisë ka dhënë një licencë për një bankë të re, me kapital turk, Ziraat. Si prisni të ndikojë hyrja e kësaj banke në sistem?

Gjatë viteve të fundit, sistemi bankar shqiptar ka kaluar një fazë konsolidimi duke u reduktuar nga 16 banka në 11 përmes bashkimeve dhe përthithjeve.

Në këtë kontekst, dhënia e një licence për një bankë të re, siç është rasti i Ziraat Bank me kapital turk, mund të duket në vështrim të parë si një prirje e kundërt.

Megjithatë, në realitet, kjo është një shenjë e tërheqjes që ofron tregu ynë financiar.

Tregu bankar, ashtu si çdo treg tjetër në ekonominë e lirë, mbetet i hapur: disa aktorë dalin përmes konsolidimit, ndërsa të tjerë hyjnë, sidomos kur mundësitë për blerje nuk ekzistojnë.

Vendimi i një investitori për të hyrë në treg është gjithmonë tregues i pritshmërive pozitive për zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Një bankë e re sjell gjithashtu modele të reja biznesi, qasje ndryshe dhe produkte që mund të diversifikojnë ofertën për klientët.

Për bankat ekzistuese, prania e një konkurrenti të ri nënkupton rritje të konkurrencës, por edhe nxitje për më tepër inovacion dhe për të forcuar pozicionin në treg.

Union Bank e mirëpret këtë zhvillim, duke e parë si një element pozitiv për sektorin bankar dhe si një mundësi për të forcuar më tej financimin e ekonomisë vendase.

 

Cilët janë sektorët që ju shikoni me potencial në të ardhmen për të investuar dhe planet tuaja të zgjerimit?

Strategjia e Union Bank për periudhën 2025 – 2027 është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: rritje të kontrolluar të aktiveve, përfitueshmëri e qëndrueshme dhe një proces i thelluar digjitalizimi të operacioneve.

Me këtë qasje, Banka synon të ndërtojë një bazë solide që garanton zhvillim afatgjatë, duke ruajtur stabilitetin dhe njëkohësisht duke qenë fleksibël ndaj ndryshimeve që sjell tregu.

Në planin e orientimit sektorial, Union Bank sheh me shumë interes zhvillimet në fusha që përfaqësojnë të ardhmen e ekonomisë shqiptare.

Energjia e pastër dhe e rinovueshme mbetet prioritet i qartë, pasi lidhet drejtpërdrejt me tranzicionin energjetik dhe me objektivat e financave të qëndrueshme. Infrastruktura, si bazë për zhvillimin ekonomik, shihet si një tjetër sektor ku Banka synon të jetë një partner i rëndësishëm financiar.

Po ashtu, turizmi cilësor, i cili po merr gjithnjë e më shumë peshë në rritjen ekonomike të vendit, ofron një sërë mundësish që ne synojmë t’i mbështesim me shërbime dhe produkte të dedikuara.

Një tjetër fushë me potencial të madh është industria agro dhe bujqësia, që lidhen ngushtë me zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen e punësimit dhe zgjerimin e eksporteve.

Duke u pozicionuar në këta sektorë strategjikë, Union Bank synon të shfrytëzojë mundësitë e reja që ofron tregu, gjithmonë në përputhje me vizionin tonë për të qenë një aktor dinamik dhe afatgjatë në sektorin financiar, si dhe një partner i besueshëm për klientët dhe ekonominë shqiptare në tërësi.

 

Lexoni edhe:

200 VIP-at e 2024-s; Në “kurthin” e punonjësve

 

 

 

 

The post Zhvillimi i qëndrueshëm kërkon partneritet mes qeverisë, bankave dhe sektorit privat appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

8 − 2 =