“Ushqimi shqiptar është identitet – jo vetëm shije”

0

Flet Shefi Altin Prenga – i njohur për agroturizmin “Mrizi i Zanave”

 

Në vitet e fundit, ka një rritje të numrit të restoranteve dhe agroturizmeve që ofrojnë produkte vendase dhe pjata tradicionale të interpretuara me kujdes dhe kreativitet.

Kjo qasje përputhet me tendencat globale drejt produkteve lokale, të stinës dhe përvojave autentike gastronomike.

Në këtë kontekst, shefi Altin Prenga – i njohur për agroturizmin “Mrizi i Zanave” – thekson rëndësinë e ruajtjes së identitetit nëpërmjet kuzhinës tradicionale, sfidat që vijnë nga kostoja e lartë e lëndës së parë dhe mungesa e mbështetjes për prodhimin vendas.

Sipas z. Prenga, turistët janë gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj autenticitetit të shijeve dhe produkteve lokale, ndërsa çmimi i drejtë mbetet një kriter i rëndësishëm për vlerësimin e cilësisë.

 

A mendoni se ushqimi shqiptar mund të jetë vetë një arsye për të udhëtuar drejt Shqipërisë – jo thjesht një shoqërues i mirë i plazhit apo malit?

Edhe mundet, por sot më së shumti është një shoqërues. Megjithatë, ushqimi tradicional është pjesë e kompleksitetit të përvojës. Nëse ai mungon, mund të ndodhë që vizitorët të mos kthehen më, sepse kërkojnë identitet të vërtetë dhe autentik në destinacion.

Në mesin e shumë ushqimeve të botës, si mendoni se spikat kuzhina shqiptare në sytë e një turisti të huaj?

Mendoj se jemi të paorganizuar si sektor. Forca jonë nuk është bujqësia intensive, por bujqësia e vogël që prodhon lëndë të parë fantastike. Pjesa më e madhe e turistëve nuk kanë luksin që të konsumojnë perime të freskëta çdo ditë.

Ne kemi një rrjet të shkurtër mes prodhuesit dhe konsumatorit – dhe kjo e bën përvojën më të vërtetë.

Jo më kot, në treg gjen manaferra, mjedra, mana, thana – produkte që nuk ekzistojnë në shumicën e vendeve të tjera.

Mishi, për shembull, është më i fortë, më autentik, sepse lopët janë gjysmë të egra. Nuk ka shumë standardizim, por ka vërtetësi. Kjo është ajo që të huajt e vlerësojnë.

Sa e rëndësishme është për ju të ruani shijet tradicionale në një treg që po bëhet gjithnjë e më shumë ndërkombëtar?

Në nivel botëror po ndodh një kthim te “global locally”. Tregu është i mbingopur nga kulturat e huaja. Shumë prej tyre kanë pasur sukses, por për ne është thelbësore të ruajmë identitetin.

Në dimër, klientët ndahen 35% turistë dhe 65% vendas. Gjatë verës, raporti është afërsisht 50/50. Ne nuk duam të humbasim klientët vendas – ata janë baza jonë.

 

 

A mendoni se çmimet e përballueshme të ushqimit në Shqipëri janë një avantazh real për tërheqjen e vizitorëve?

Në fakt, ushqimet nuk janë të lira. Lënda e parë është e shtrenjtë. Ajo që ndihmon është që prodhimi dhe konkurrenca në sektor bëjnë të mundur çmime të përballueshme.

Por personalisht nuk do të doja kurrë që një kuzhinier që nuk njeh mirë gjuhën apo kulturën shqiptare të krijojë pa pasur ndjesinë e identitetit.

Në shumë raste, ka edhe padrejtësi në vlerësim, por klienti i vërtetë e kupton cilësinë. Jam i mendimit të “çmimit të drejtë” – pra, një produkt duhet të vlejë për aq sa ofron dhe klienti i ndërgjegjshëm e vlerëson këtë.

 

Cila është ajo pjatë shqiptare që turistët e porosisin më shumë në restorantin tuaj?

Nuk kam një fokus të vetëm, por kemi mishin e kecit klasik me patate dhe trumëz.

Për ne është e rëndësishme të kemi një fokus 360 gradë, që fillon nga lënda e parë. Ne jemi dashamirës të cilësisë dhe kujdesemi që gjithçka të jetë më e mira.

Si kuzhinier, më pëlqen që çdo gjë të jetë unike – në shije dhe në personalitet.

Turistët e kanë vënë re këtë. Prej më shumë se 30 vitesh dëgjoj komentet e tyre pozitive – dhe është meritë e lëndës së parë që përdorim.

Një tjetër pjatë shumë e kërkuar është rizoto me kërpudha, sepse për mua është një ndër lëndët e para më të mira që prodhojmë.

 

 

Sa ndikojnë turistët në xhiron vjetore të restorantit tuaj? A ka ndonjë periudhë të vitit kur prania e tyre e rrit ndjeshëm të ardhurat?

Si agroturizëm, sezoni ynë është i lidhur më shumë me vjeshtën dhe pranverën. Në këto periudha, ndikimi i turistëve është shumë i madh dhe i prekshëm në të ardhura.

 

Si i balanconi cilësinë me koston, duke pasur parasysh që çmimet e lira janë një faktor tërheqës për turistët?

Kemi arritur të gjejmë zgjidhje nëpërmjet përdorimit të produkteve të stinës dhe lokale.

Mishi, për shembull, prodhohet mjaftueshëm në zonën tonë. Shpresojmë që kjo lloj qasjeje të forcohet paralelisht me shtimin e turizmit.

 

Cilat janë sfidat ekonomike që hasni në përpjekjen për të ofruar ushqim cilësor dhe tradicional me çmime të përballueshme?

Çmimi i lartë i lëndës së parë është një sfidë. Ka edhe një pasojë kulturore – shumë të rinj nuk e shohin bujqësinë si një profesion dinjitoz, parapëlqejnë të ndjekin të ardhura të lehta pa shumë mund.

Nuk besojnë te prodhimi.

Punoj me 110 persona, nga stafi bujqësor deri te kuzhina dhe salla. Problematikat nuk mungojnë, por vazhdoj të mendoj se në radhë të parë mungon lidershipi dhe trajtimi njerëzor i stafit.

Duhet edukim dhe trajnim. Strukturat që funksionojnë ndërtohen, nuk ndodhin vetë.

 

Çfarë ndikimi kanë produktet vendase në ekonominë e restorantit tuaj?

Janë arsyeja kryesore pse punoj kaq shumë. Nëse nuk do të kisha produkte vendase, nuk do të arrija të faturoja as 55% të punës që bëj – ndoshta do të isha mbyllur.

Identiteti që ofroj me këto produkteve është ai që më ka sjellë këtu ku jam. Dhe është fiks ajo që po kërkon sot sektori, sidomos nga të huajt, por edhe nga shqiptarët.

The post “Ushqimi shqiptar është identitet – jo vetëm shije” appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

eighteen + 3 =