Banka e Anglisë pritet të marrë të enjten vendimin e fundit mbi normën e interesit përpara Buxhetit të Vjeshtës, që do të prezantohet më vonë këtë muaj, ndërsa ekonomistët thonë se, megjithëse është më e mundshme që banka qendrore të mbajë normat të pandryshuara, kjo nuk është aspak e sigurt.
“Nuk mund ta dimë kurrë me siguri se në ç’drejtim do të shkojë çdo mbledhje, por kjo është një nga më të vështirat për t’u parashikuar prej kohësh,” tha Dean Turner, ekonomist kryesor për Eurozonën dhe Mbretërinë e Bashkuar në UBS Global Wealth Management’s Chief Investment Office.
“Nuk është çështje nëse do t’i ulin normat e interest një herë, përgjigjja është po, ne besojmë se do ta bëjnë. Nëse politika monetare mbetet e shtrënguar, inflacioni bie dhe rritja ekonomike mbetet e dobët, atëherë normat e interesit do të ulen. Pjesa e vështirë është të parashikosh se kur,” shtoi ai.
Ekonomistët parashikojnë se shumica e anëtarëve të Komitetit të Politikës Monetare (MPC) me nëntë anëtarë të Bankës së Anglisë do të votojnë për të mbajtur të pandryshuar normën kryesore të interesit, të njohur si Bank Rate, në nivelin 4% në mbledhjen e nëntorit.
Megjithatë, disa mendojnë ndryshe. Barclays, Nomura, Mizuho dhe Unicredit besojnë se mund të ketë një ulje surprizë sot, në 3.75%. Julien Lafargue, strategu kryesor i tregjeve në Barclays Private Bank, pranoi të mërkurën se megjithëse kishte arsye për një ulje të normës, vendimi ishte “jashtëzakonisht i balancuar”.
Në çdo rast, ekziston një konsensus i përgjithshëm se vendimmarrësit e bankës mund të nisin uljen e normave që në dhjetor, dhe t’i ulin sërish gjatë vitit të ardhshëm, si përgjigje ndaj pritshmërive për një rënie të inflacionit, i cili mbeti i pandryshuar për të tretin muaj radhazi në shtator, në nivelin 3.8%, si dhe ndaj dobësimit të tregut të punës.
Shumica e anëtarëve të MPC janë më të shqetësuar për pasojat e uljes së normave shumë shpejt sesa shumë vonë, vuri në dukje Oxford Economics në një analizë, dhe Banka e Anglisë do të kërkojë prova të qëndrueshme të rënieve të papritura në të dhëna dhe një ngadalësim të rritjes së pagave në një ritëm të përshtatshëm për objektivin përpara se të votojë sërish për ulje.
“Nëse kemi të drejtë dhe Banka e Anglisë nuk i ul normat këtë javë, pyetja tjetër do të jetë kur do të vijë ulja e radhës,” tha në një shënim Allan Monks, ekonomist i Mbretërisë së Bashkuar në JP Morgan.
“Ne kemi argumentuar se do të jenë të dhënat që tregojnë rënie të mëtejshme në inflacion dhe tregun e punës ato që do ta përcaktojnë këtë. Për shembull, një rritje e normës së papunësisë në 4.9% në shtator mund të jetë e rëndësishme, ashtu si dhe ngadalësimi i mëtejshëm i rritjes mujore të çmimeve në shërbimet bazë të CPI dhe pagave në sektorin privat.”
Nëse Banka e Anglisë i mban të pandryshuara normat të enjten, Turner nga UBS tha se pret që banka të “sinjalizojë se një ulje do të vijë jo më vonë se në shkurt, ndoshta që në dhjetor”.
“Vendimmarrësit nuk do të kenë parashikime të reja në dhjetor, por do të kenë buxhetin dhe analizën e ndikimit në duar,” shtoi ai.
Buxheti i Vjeshtës
Fakti që mbledhja e këtij muaji e bankës qendrore zhvillohet përpara Buxhetit të Vjeshtës më 26 nëntor është një tjetër arsye për kujdes nga politikëbërësit e saj.
Pritet gjerësisht që Kancelarja e Thesarit, Rachel Reeves, të njoftojë rritje taksash, ndërsa përpiqet të mbushë boshllëkun fiskal që vlerësohet diku mes 20 dhe 50 miliardë paundëve (20–65.2 miliardë dollarë), bazuar në parashikimet e produktivitetit më të ulët, kostot e shërbimit të borxhit dhe të tërheqjeve nga shkurtime të planifikuara në shpenzimet sociale, ndër të tjera.
Në fillim të kësaj jave, Reeves dha një sinjal më të qartë se rritjet e taksave po afrohen, dhe pritet të shqyrtojë mundësinë e rritjes së tatimit mbi të ardhurat si një mënyrë për të rritur të ardhurat, por nuk ka dhënë ende detaje. Rritjet e taksave ka të ngjarë të veprojnë si një faktor shtesë në uljen e inflacionit duke frenuar kërkesën konsumatore.
“Nëse masat në buxhet përfshijnë një rritje të tatimit mbi të ardhurat, ato do të shtojnë presionin mbi të ardhurat reale të familjeve, që tashmë janë nën presion nga inflacioni i lartë dhe ngadalësimi i rritjes së pagave. Ndërsa këta faktorë rëndojnë mbi kërkesën, inflacioni ka të ngjarë të zbutet,” tha Andrew Wishart, ekonomist në Berenberg.
“Në atë rast, kjo do t’i lejojë Bankës së Anglisë të ulë normat e interesit me 25 pikë bazë të paktën dy herë vitin e ardhshëm, në 3.50%. Një shtrëngim fiskal i përqendruar në fillim do të hapte rrugën për një ulje të tretë në vitin 2026, në 3.25%.” / CNBC
The post Ulja e normës së interesit nga Banka e Anglisë, një vendim i vështirë përpara buxhetit të vjeshtës appeared first on Revista Monitor.









